Bota

Hakmarrja nuk vonoi, Izraeli sulmoi Iranin/Objektivat ushtarake në shënjestër!

Ushtria izraelite njoftoi se përfundoi sulmet “preçize” ndaj objektivave në Iran, si hakmarrje për goditjet iraniane kundër Izraelit, në fillim të muajit. Përmes një video-deklarate, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u shpreh:

Tani mund të konfirmoj se kemi përfunduar përgjigjen izraelite ndaj sulmeve të Iranit kundër Izraelit. Ne kryem sulme të shënjestruara e të sakta kundrejt objektivave ushtarake në Iran. Avionët tanë u kthyen të sigurt në shtëpi. Ushtria bombardoi objekte për prodhimin e raketave, ku Republika Islamike ka prodhuar raketat me të cilat sulmoi Izraelin.

Avionët luftarakë goditën edhe raketat tokë-ajër e të tjera kapacitete ajrore iraniane, që synonin të kufizonin operacionin e Izraelit kundër Iranit. Regjimi në Iran dhe bashkëpunëtorët e tij, vazhdimisht kanë sulmuar Izraelin që nga 7 tetori 2023 në disa fronte, përfshirë sulme të drejtëpërdrejta nga toka iraniane.

Zëdhënësi i IDF-së shtoi se “si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet”. Presidenti amerikan, Joe Biden “është informuar dhe po ndjek nga afër zhvillimet”, siç raportoi televizioni CBS. Raportohet edhe se sulmet izraelite nuk kishin në shënjestër objektet energjetike apo bërthamore.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, shtoi se “Uashingtoni u këshillua për sulmet paraprakisht”. Sipas Savett-it, ato janë “ushtrim i vetëmbrojtjes dhe përgjigje e sulmit me raketa balistike të Iranit kundër Izraelit, më 1 tetor”.

Rreth së njëjtës kohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA informoi se një sulm ajror izraelit shënjestroi disa zona ushtarake në pjesët qendrore e jugore të Sirisë. Shqetësimet janë rritur që kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen në një luftë rajonale në Lindjen e Mesme, teksa Izraeli po intensifikon sulmet në Liban kundër Hezbollahut, grupit militant që është edhe parti politike e që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Sulmet ajrore që kanë goditur kryeqytetin libanez Bejrut e Libanin jugor, janë shoqëruar edhe me operacion tokësor. Hezbollahu, i cilësuar “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, mbështet Hamasin palestinez, shënjestër e Izraelit. Kjo pasi Hamasi, sulmoi Izraelin e jugut më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz e mori peng qindra të tjerë.