Aktualitet

Hakmarrja e mësuesit ndaj prindit që u ankua, pezullohet arsimtari në Elbasan!

Pezullohet nga puna mësuesi i një shkolle 9-vjeçare në Jakodinë të Elbasanit, i akuzuar se kanosi një prind me pretendimin se prishi imazhin e arsimtarit. Konflikti ndodhi pasi kishte ankesa ndaj 34 vjeçarit Erion Kushi se ushtronte presion psikologjik të vazhdueshëm ndaj nxënësve në klasë. Prindi denoncoi se krahas kanosjes me fjalë, Kushi i hodhi benzinë. Prokuroria e Elbasanit, vijon hetimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për kanosjen e shtetasit Ismail Kasa, nga hetimet e mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, rezultoi se autori i dyshuar, shtetasi Erion Kushi, 34 vjeç, me profesion mësues, e ka kanosur shtetasin Ismail Kasa sepse pretendon se ky i fundit i ka dëmtuar imazhin si mësues.

Më tej, në deklarimin e tij, shtetasi Ismail Kasa pretendon se përveç kanosjes me fjalë, 34-vjeçari ka hedhur në drejtim të tij, një bidon dyshohet me lëndë djegëse (benzinë) që e ka marrë në automjet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për të vijuar hetimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.

Ndërkohë, ZVAP-ja Elbasan pasi u njoh me rastin e incidentit të denoncuar për mësuesin e Jakodinës nga prindi i një nxënësi ka marrë masën e pezullimit të tij nga puna deri në zbardhjen e ngjarjes nga drejtësia.