Aktualitet Rajoni

Hagë, sot vendimi për Pjetër Shalën! Akuzohet për krime lufte

Gjykata Speciale shpall sot vendimin ndaj Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Shala u ndalua marsin e vitit 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Hagë prillin e atij viti nën akuzat e ndalimit arbitrat, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, akuza këto të cilat nuk i pranon e i konsideron si “të fabrikuara”. Gjyqi ndaj tij nisi shkurtin e vitit të kaluar.

Prokurori i rastit pretendon se prej 17 majit 1999 deri më 5 qershor 1999, Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UCK-së kanë marrë pjesë në ndalime, torturime dhe në vrasjen e një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve kanë qenë njerëz që dyshohej se kanë bashkëpunuar me Serbinë, ose nuk e kanë përkrahur UÇK-në dhe nuk kanë marrë pjesë në luftime.

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë. Ajo dënoi ish komandantin e UCK-së Salih Mustafa me 26 vite burgim për krime lufte, e më vonë, Apeli e uli dënimin në 22 vite heqje lirie.

Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.