Bota

Habit Trump me fjalimin e tij: “Nëse fiton Kamala Harris, do të ndodhë Lufta e Tretë Botërore!”

Pas një xhami antiplumb, Donald Trump nisi një sulm të ashpër ndaj rivales Kamala Harris në fjalimin e tij të parë të fushatës në natyrë që nga tentativa për vrasjen e tij në muajin e kaluar. Trump i cili zgjodhi të mbajë një fjalim në Karolinën e Veriut, pretendoi edhe një herë se zëvendëspresidentja demokrate i përket “të majtës radikale”, duke parashikuar se miliona vende pune do të shkatërrohen nëse fiton ajo. Në fjalimin e tij, 78-vjeçari iu drejtua turmës me fjalët:

Kursimet tuaja të jetës do të dalin në tym.

Ndërkohë ai listoi një numër fatkeqësish të tjera që besonte se do ndodhnin nëse ajo do fitonte.

Në të gjithë botën, kundërshtarët tanë e dinin se nuk mund ta merrnin Amerikën si të mirëqenë kur unë isha kreu i forcave të armatosura. Por nëse Kamala fiton në nëntor, është praktikisht e sigurt se Lufta e Tretë Botërore do të ndodhë.

Kandidati republikan, Donald Trump ka mbajtur tubimin e tij të parë në një ambient të hapur që pas atentatit që iu bë një muaj më parë në Pensilvani. Kësaj radhe, në Karolinën e Veriut, Trump u shfaq përpara mbështetësve të tij, por i rrethuar nga të katërt anët e podiumit me xham antiplumb. Gjithsesi, ajo që mori vëmendjen më të madhe ishte pikërisht gjesti që kandidati republikan bëri.

Gjatë fjalimit të tij, një grua që ndodhej në tribunë nuk u ndje mirë dhe i ranë të fikët. Ish-presidenti la menjëherë podiumin dhe shkoi drejt saj për t’u siguruar nëse ishte mirë dhe në fund i dha një përqafim, teksa u shoqërua më pas jashtë tubimit, ndërkohë që Trump u rikthye në podium për të vijuar me fjalimin e tij.