Bota

Guterres apelon për armëpushim: Gaza, epiqendra e dhunës!

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, sërish bëri thirrje për një armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli nisi një seri sulmesh ajrore në Bejrut, kryeqytetin e Libanit. Guterres foli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

Lufta në Liban mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm duke përfshirë fuqitë e jashtme.

Zyrtari i  lartë apeloi për një armëpushim të përkohshëm, për të lejuar ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e negociatave të paqes.

Ne kemi nevojë për këtë armëpushim tani. Ne nuk mund të përballojmë negociata të pafundme, siç kemi për Gazën. Ne duhet të shmangim një luftë rajonale me çdo kusht. Gaza mbetet epiqendra e dhunës dhe po Gaza është çelësi për t’i dhënë fund asaj.

Guterres vuri në dukje se ligji ndërkombëtar humanitar dhe civilët duhet që të respektohen.

Spiralja e vdekjes duhet të përfundojë për Gazën, për popullin e Palestinës dhe Izraelit, për rajonin dhe për botën. Dhe më në fund duhet të ketë përgjegjësi. Çelësi i paqes në rajon është një zgjidhje politike.

Fjalimi i sekretarit të Përgjithshëm, Guterres erdhi pas intesifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe milicisë shiite libaneze Hezbollah, ndërsa numri i të vdekurve vlerësohet të ketë arritur në mbi 750 pas një jave të sulmeve ajrore izraelite. Në shënjestër është vënë grupi militant pro-iranian që e godet Izraelin me raketa dhe ka shkëmbyer zjarr thuajse çdo ditë me trupat izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza.

Guterres ka kritikuar vazhdimisht sjelljen e ushtrisë izraelite në Gaza duke thënë se tani i frikësohet një veprimi të ngjashme në Liban. E në fakt, shteti hebraik paralajmëron se po afrohet dita e një ofensive tokësore në shtetin libanez.

Ndërkaq, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga grupi radikal palestinez Hamas në Rripin Gazës, numri i të vdekurve pas rreth një viti sulmesh izraelite ka arritur në më shumë se 40 mijë. Por, shifra e shënë nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve që kanë humbur jetën. Një ditë më parë, kryeminstri izraelit Netanjahu i tha Asamblesë së OKB-së se është krijuar një “kënetë antisemite”.