Aktualitet

Grupi për PD kërkon transparencë nga Basha!

Grupi “Për PD”-në kërkon transparencë nga Kryetari Lulzim Basha nëse është ndikuar, imponuar dhe shantazhuar nga Berisha?

Në një konferencë për shtyp, kreu i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani tha se “në opinionin publik, në opinionin mediatik ka diskutim që Basha është i ndikuar, shantazhuar nga Berisha në vendimet politike më të rëndësishme që ka marrë Basha në emër të PD-së dhe është hipokrizi, sepse Basha nuk e ka përgënjeshtruar kurrë këtë çështje!”.

Basha duhet të dalë para demokratëve dhe shqiptarëve e të thotë se që nga koha që ka qenë në krye të PD-së e ka marrë vendime shumë të rëndësishme ndonjëherë edhe ekstreme politike, a është ndikuar, imponuar dhe shantazhuar nga Berisha për të marrë këto vendime apo ishin vendimet e tij? Kjo është transparenca që Basha duhet të bëjë për shqiptarët, për opinionin publik dhe për demokratët!

Ndërkaq, rivalja e Bashës në garën për kreun e Selisë Blu, Edith Harxhi e akuzoi kryetarin se “ka marrë peng partinë”.

Nuk e mendoja dot në asnjë moment të tërhiqem nga gara pavarësisht pengesave. Partia është marrë peng dhe administrata punon vetëm për një person, Lulzim Bashën! Pavarësisht gjithçkaje vazhdojmë të këmbëngulim për reformimin e PD-së. Të gjitha çështjet diskutohen në grup dhe jo në mënyrë personale siç i merr Basha! Unë nuk i marr votën demokratëve por ata do të më japin votën mua sepse do besojnë tek unë, te programi im, te ringritja e PD-së mbi idealet e viteve ‘90 e ky program do të jetë një fillim i ri për PD-në dhe përfundim i tranzicionit shqiptar pas katër humbjeve seriale të PD-së. Ky grup do të jetë unik e do të vazhdojë të punojë në çdo kohë. Më 14 qershor jam e sigurt që Lulzim Basha do të vihet përballë një surprize të madhe!

Bujar Nishani shtoi se “PD është pjesë e një sistemi, që na cek të gjithëve e që nuk jemi dakord asnjë, kush më pak e kush më shumë”.

Ky sistem nuk u cënua, ngeli po ai para 25 prillit! Do vazhdojmë betejën për PD-në, në funksion të goditjes të problematikave, që ne nuk pajtohemi me sistemin. Kërkesa për largimin e Bashës do vijë duke u rritur, sepse PD është vlerë e shoqërisë shqiptare!