Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kryetarit të tij, Gazment Bardhi, sot i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimet për ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, ministrin e ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Njoftimi i Partisë Demokratike:
Shkak për këtë kallëzim, është bërë një procedurë tenderi e realizuar në muajin korrik 2024 nga Autoriteti Portual Durrës, i cili ka nënshkruar një kontratë konsulence me kompaninë hollandeze Royal Haskoning DHV, me vlerë 12 milionë euro, për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano.
Kjo kontratë është lidhur me negocim të drejtpërdrejtë ndërmjet drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu dhe përfaqësuesve të kompanisë private Royal Haskoning DHV, pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të prokurimit publik. Ish-drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu rezulton se ka shmangur të gjitha rregullat e prokurimit publik, duke përzgjedhur drejtpërdrejtë kompaninë fituese, duke cenuar haptazi interesin publik dhe dëmtuar rëndë Buxhetin e Shtetit, me qëllim përfitimin ekonomik të subjektit privat.
Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova, se Pirro Vëngu, ish-drejtor i Autoritetit Portual Durrës, dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Më herët gjatë ditës, Niko Peleshi i dorëzoi detyrën ministrit të ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngu. Pas pothuaj katër viteve si ministër i Mbrojtjes, Peleshi shprehu mirënjohjen “për ekipin ushtarak të FARSH dhe atë civil të kësaj ministrie, puna e të cilëve është themeli i arritjeve të Shqipërisë si pjesë e Aleancës së NATO-s, krah për krah partnerëve tanë strategjikë, SHBA”.
Nderin dhe privilegjin për të shërbyer për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, të besuar nga kryeministri Rama jam munduar ta shpërblej me punë dhe dinjitet. Eshtë një kënaqësi e madhe të shoh Shqipërinë të renditur ndër vendet e dalluara në NATO për përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve të saj, duke tejkaluar vende që kanë qenë pjesë e Aleancës më herët dhe më gjatë se ne. Largohem i përmbushur dhe krenar për punën dhe synimet e realizuara. Kam besim se i njëjti angazhim dhe ndjenjë detyre do të vazhdojë me ministrin e ri.
Peleshi i uroi suksese dhe punë të mbarë ministrit Pirro Vëngu.
Suksese dhe punë të mbarë Pirros, i cili jam i bindur që do t’i çojë më tej punët dhe përmbushë me sukses përgjegjësitë e programit tonë qeverisës dhe zotimeve ndaj Aleancës. Punë të mbarë dhe faleminderit!