Tetë muaj pas ngjarjes së rëndë të Banjskës në veri të Kosovës, aty ku u vra polici Afrim Bunjaku, si dhe 3 terroristë serbë, në raportin Grupit Ndërkombëtar të Krizave(ICG), për herë të parë thuhet se zyrtarët e KFOR-it kanë negociuar largimin e terroristeve serbë.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raport.
Përveç kësaj raporti ka dalë edhe me disa konkluzione dhe rekomandime për Kosovën.
Aty thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është faktori më i rëndësishëm i paqëndrueshmërisë rajonale.
“Akterët kryesorë ndërkombëtarë në rajon po reagojnë ndaj zhvillimit të situatës. NATO ka përshtatur strukturën e saj të forcave në Kosovë – ajo ka ndryshuar vendosjen e tyre dhe ka shtuar afërsisht 800 trupa shtesë. BE-ja ka përshtatur numrat e saj në terren gjithashtu. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar përpjekjet e tyre për të sjellë Beogradin dhe Prishtinën në tryezë për një marrëveshje të vërtetë që ata mund të nënshkruajnë dhe të zbatojnë”, thuhet në raportin e ICG-së.
Raporti si përfundim dhe rekomandim ka sugjeruar që duhet vazhduar presioni mbi Kosovën dhe Serbinë për një marrëveshje përfundimtare.
“Para së gjithash, Aleatët e NATO-s, BE-ja dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion të duhur mbi Beogradin dhe Prishtinën për të zhbllokuar dialogun dhe për të gjetur një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, thuhet në raport.
ICG-ja ka vlerësuar se prania e trupave të NATO-s në Kosovë është ende e nevojshme, duke pasur parasysh evolucionin e ngjarjeve në terren dhe në rajon.
“Vëmendja e Aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – më shumë forca, të pozicionuara siç duhet atje janë prioritet”, thuhet mes tjerash në raportin e ICG-së.