Aktualitet Politikë

“Grupi i Dialogut”, maxhoranca nuk pranon rikthimin e koalicioneve parazgjedhore!

Mbledhja e Grupit të Dialogut përfundoi pa një dakordësi mes palëve politike, maxhorancës dhe opozitës. Aty nuk pati dakordësi lidhur me rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, socialistët nuk e pranuan këtë kërkesë të demokratëve. Partia Demokratike kërkon rikthim tek “Marrëveshja e 5 qershorit”, por për Partinë Socialiste, ky është kapitull i mbyllur.

Damian Gjiknuri, përfaqësues i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, vuri në dukje se nëse arrihet konsensusi, ligji do të miratohet muajin tjetër, pra në korrik. Gjiknuri u shpreh:

Në këtë pikë, duhet që të adresohen tre vendime të Gjykatës Kushtetuese. I pari prej tyre ka të bëjë me votën e Diasporës, i dyti është herësi, shpërndarja brenda forcave politike. Ne do të dalim me propozimet tona, në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Nëse nuk bihet dakord, lista mund që të interpretohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, si e hapur plotësisht.

Së fundi, unë kam dhënë garanci nga ana e maxhorancës që ne jemi dakord të financojmë votimin dhe numërimin elektronik në katër apo pesë qarqet më të mëdha të vendit, por opozita ka hequr dorë, pak a shumë. Këto janë pikat që iu ofrova për një marrëveshje. Vendi nuk mund të rrijë peng i 5 qershorit.

Vota e emigrantëve është e mundur, pasi janë ende afatet. Eshtë e mundur që të nisë zbatimi me çështjen në fjalë. Partia Socialiste ka qenë për një variant të balancuar, si herësi. Ose mund të shkojmë drejt një skeme më të afërt, kushtetuese. Nëse nuk ka dakordësi do të mbetet regjimi siç është shfuqizuar nga Kushtetuesja, që do të thotë se herësi është zero.

Në një prononcim për mediat, bashkëkryetari i Grupit të Dialogut, Oerd Bylykbashki, komentoi rrëzimin e kërkesës së opozitës për çështjen e rikthimit të koalicioneve parazgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor.

Bylykbashi u shpreh se “refuzimi i mazhorancës për të pranuar që t’i rikthehemi një dakordësie të përbashkët bëhet vetëm me pretendimin se ne tashmë e kemi bërë dhe nuk i kthehemi pas”.

Një nga çështjet që kemi shtruar nga platforma është rikthimi të marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, nënshkruar me konsensus nga dy PS dhe PD dhe mbështetur nga nivelet më të larta të diplomacisë. Për rrjedhojë është një marrëveshje që qëndron sot e kësaj ditëm pavarësisht se qëndron e shkelur.

Refuzimi i mazhorancës për të pranuar që t’i rikthehemi një dakordësie të përbashkët bëhet vetëm me pretendimin se ne tashmë e kemi bërë dhe nuk i kthehemi pas. Shkelja e marrëveshjeve është një nga elementët kryesore që çojnë në mosbesim.