Aktualitet Politikë

Grup-kapitulli i parë për negociatat e Shqipërisë me BE-në, Tabaku: Hapje shampanje për herë të 1-mijtë!

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, njëkohësisht  kryetare e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, shprehet se hapja e grup-kapitullit të parë për negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin drejt BE-së duhet të kishte ndodhur një dekadë më parë dhe jo sot.

Teksa Tabaku vlerëson se ky zhvillim është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe rrugëtimin në BE, ajo thekson se çelja e grup-kapitullit të parë vjen 11 vite me vonesë dhe kjo kohe e humbur sjell pasoja negative në politikën shqiptare.

Tabaku pohoi se ka qenë opozita e 2013 (mazhoranca sot)  që pengoi hapjen e grup-kapitullit të parë aso kohe.

“Për Partinë Demokratike, ky është më shumë sesa një hap burokratik, pasi gjykojmë se është kulmimi i një përpjekje kolektive të shqiptarëve të nisur që në 1992 ku ëndrra e përbashkët ishte Bashkimi Europian dhe shteti i së drejtës”, i shpreh kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, e cila shtoi me tej: “Për të qenë të ndershëm deri në fund me njëri tjetrin, data e sotme për hapjen e negociatave duhet të ishte një dekadë më pare, në vitin 2013. Por ju të gjithë e kujtoni që u bojkotuan 3 ligjet, miratimi I qarkut të Fierit që u bllokua nga opozita e asaj kohe tashmë mazhorancë.

Partia Demokratike është e vetëdijshme që sot ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë e shqiptarët jo për politikën. Prandaj e mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë. Pasi besojmë që ne që ishim nismëtarët e këtij procesi do ta përfundojmë atë. Ne e konsiderojmë këtë proces si mënyrën e vetme për të ndryshuar e transformuar vendin, për të rritur mbikëqyrjen e llogaridhënien, monitorimin veçanërisht me procesin zgjedhor së afërmi”.