Sot në 8-vjetorin e shenjtërimit, Nënë Tereza përkujtohet nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës. Kryeministri Edi Rama e cilëson “gruan e paqes në botë”.
Mirëmëngjesi dhe në këtë ditë të shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një ditë të bukur!
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e quan Nënë Terezën, “model frymëzimi që jetën ia kushtoi të vuajturve”.
Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve. Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thekson se trashëgimia e Nënë Terezës është një dritë udhëheqëse për të gjithë ne.
Sot, më 5 Shtator, përkujtojmë Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, një emër që simbolizon dhembshurinë dhe altruizmin. Trashëgimia e saj është një dritë udhëheqëse për të gjithë ne.
Më 5 shtator të vitit 2016, botës iu shtua një shenjtore, Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Në një ceremoni madhështore të 8 viteve më parë në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e Nënë Terezës, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997-ën. Shenjtërimi pasoi Lumturimin më 19 tetor 2003 në Vatikan nga Papa Gjon Pali II. Shenjtërimi i Nënë Terezës është festë zyrtare në Shqipëri, ditë pushimi.
Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia kushtoi të varfërve.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, deklaroi:
Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?