Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, MBZHR përmes urdhrave të posaçëm ka marrë masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve, të shfaqur në shtetin e Kroacisë, Danimarkës, Italisë, Bullgarisë, Hungarisë, Gjermanisë, Polonisë, Francës, Çekisë, Sllovakisë, Rumanisë, Moldavisë, Spanjë, Portugalisë, Francës, Norvegjisë, Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Masat përfshijnë ndalimin e importit, e tranzitimit nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë, të: shpendëve të gjallë shtëpiakë; zogjve 24-orësh; shpendëve dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; vezëve të shpendëve; mishit të shpendëve të patrajtuar termikisht; nënprodukteve të shpendëve të patrajtuar termikisht.
Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2023 numri i pulave në Shqipëri regjistrohet në 4.8 milionë krerë dhe numri i vezëve në 894 milionë kokrra.
Po ashtu, njëkohësisht Ministria e Bujqësisë ka marrë masa për tu mbrojtur nga sëmundja e lisë së dhenve dhe dhive të shfaqur në Greqi, Turqi, Bullgari. Dhe në këtë rast masat përfshijnë ndalimin e importit dhe tranzitimit për në territorin e Republikës së Shqipërisë të të gjitha kafshëve të gjalla të llojit të dhirta dhe të leshta, materialit biologjik dhe nënprodukteve të kafshëve të llojit të dhirta dhe të leshta.
Masa të njëjta janë marrë edhe për mbrojtjen ndaj sëmundjes së gjuhës blu të shfaqur në Suedi, Danimarkë, Portugali, Austri, Holandë dhe Spanjë.
Dy ditë më parë, ministria deklaronte:
MBZHR njoftoi se në kuadër të monitorimit të Influencës Aviare, menjëherë mbas shpalljes “alert” nga Laboratori i Referencës – ISUV, Shërbimi Veterinar Zyrtar në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla” filloi monitorimin e fermave brenda zonës se mbrojtur në Njësinë Administrative Mëzez, Kashar, Tiranë, dhe bazuar në Planin e Kontingjencës sipas Urdhrit të Ministrit “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare” ka kontrolluar lëvizjen e shpendëve të gjallë, në zonën e konfirmuar pozitive, në të cilën janë marrë kampione nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për t’i analizuar ato në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
MBZHR informon, se nga data 30 tetor deri në 3 nëntor 2024, në ISUV kanë mbërritur dhe janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilët janë testuar me metodën e akredituar dhe të avancuar molekulare RT-PCR. Laboratori i Referencës – ISUV, është përgjegjës për testimin e kampioneve lidhur me Influencën Aviare, ka marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur situatës emergjente, duke ofruar kapacitet laboratorik dhe teknik për analizimin e çdo kampioni të ardhur brenda 24 – 48 orëve, me qëllim përgjigjen e shpejtë të strukturave përgjegjëse në zbatimin e masave, lidhur me izolimin e rastit dhe parandalimin e përhapjes se infeksionit.
MBZHR thekson se, kampionet në njerëz të marra janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe kanë rezultuar negative. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon ngushtë me Institutin e Shëndetit Publik, i cili po kryen një survejancë të përforcuar për infeksionet respiratore në zonën e fermës së prekur nga sëmundja, përkatësisht, për zbulimin në kohë dhe marrjen e masave kundër virusit H5N1.
Masat kufizuese dhe parandaluese do të jenë në fuqi deri në përfundimin e afatit të karantinës, si dhe Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës do të vazhdojnë koordinimin dhe funksionin e tyre deri në mbylljen e rasteve, pa rekurenca.