Pasi gjeneratat e reja po preken shumë nga kanceret e ndryshme, kjo gjë i ka shtyrë shkencëtarët që të mundohen ta zbulojnë shkakun, duke marrë parasysh mbipeshën dhe mungesën e aktivitetit. Në studimin e ri që u publikua në gazetën “The Lancet”, si shkaktar të kancerit janë përmendur edhe kemikalet e ambientit, ku bën pjesë mikrplastika.
Një raport i ri zbuloi se numri i mikro dhe nanogrimcave plastikave në shishet e pijeve me gaz rritet sa herë ju hapni shishen. Një OJQ franceze identifikoi gjashtë lloje grimcash plastike në pijet me gaz. Organizata Agir pour l’environnment (Akti për Mjedisin) u mbështet në dy laboratorë për të kryer studime mbi praninë e mundshme të nano dhe mikrogrimcave plastike kur shishet hapen një herë, 10 ose 20 herë për të imituar përdorimin real.
Raporti përfshinte analiza të plastikës me gjashtë polimerë të ndryshëm të identifikuar. Pas hapjes së parë të shisheve, u gjetën katër mikrogrimca për një litër pije me gaz. Pas hapjes së shisheve 20 herë, u identifikuan 46 mikrogrimca për një litër pije me gaz. Të gjitha mikrogrimcat e identifikuara ishin më të vogla se 500 mikrometra (μm) dhe një shumicë e madhe ishin më të vogla se 100 μm.
Shumica e grimcave të lidhura me hapjet ishin më të vogla se 50 μm. Këto rezultate kanë vënë në pikëpyetje kompanitë që prodhojnë pijet me gaz dhe autoritetet shëndetësore, të cilët duhet t’u garantojnë konsumatorëve një shishe që nuk i ekspozon ata ndaj molekulave, ndikimi shëndetësor i të cilave nuk mund të përjashtohet.
Plastika është kudo rreth nesh, nga qeset e ushqimeve te shishet e ujit që përdorim për të qëndruar të hidratuar. Por, sipas një studimi të kryer nga departamenti i mjekësisë në universitetin “Danube Private” në Austri, pirja e ujit nga shishet plastike mund të kontribuojë në një problem të rëndësishëm shëndetësor, rritjen e tensionit të gjakut.
Mikroplastikat nga këto shishe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke çuar në rritje të niveleve të tensionit. Studiuesit vunë re se mikroplastikat nuk janë ekskluzive vetëm për shishet plastike; ato janë zbuluar edhe në shishet e qelqit, por në sasi më të vogël. Gjatë studimit, pjesëmarrësit që kaluan nga pirja e ujit nga shishet plastike dhe qelqi në ujin e rubinetit, treguan një ulje të tensionit të gjakut.