Bota

Grevat në Gjermani, qindra fluturime pritet të anulohen!

Rikthehen grevat në Gjermani. Për ditën e sotme dhe të nesërme, rreth 700 fluturime do të anulohen, duke prekur pothuajse 100 mijë pasagjerë. Në një njoftim zyrtar, Shoqata e Aeroporteve saktësoi se kjo është pasojë e grevave të planifikuara nga Sindikata e Punëtorëve “Verdi” në Gjermani. Pezullimi i punës përfshin tre aeroporte gjermane. Numri një i kësaj shoqate, Ralph Beisel deklaroi:

Rreth 100 mijë pasagjerë do të vuajnë pasoja si rezultat i taktikave të grevave të “Verdit”.

Nesër grevat do të zgjerohen më tej në Gjermani, duke përfshirë edhe punonjës të hekurudhave. Kjo mund të shkaktojë telashe më të mëdha për personat që përdorin këtë mjet transporti për të lëvizur drejt destinacioneve përkatëse, që kryesisht janë vendet e punës.

Shoqata e Aeroporteve akuzon sindikatat e punëtorëve se po keqpërdorin të drejtën e grevave. Sipas kësaj shoqate, në tre muajt e parë të këtij viti, mbi 900 mijë pasagjerë u detyruan të ndryshojnë fluturimet apo janë përballur me anulim të tyre po për shkak të grevave.

Ndërkohë, Sindikata “Verdi” nuk po qëndron indiferente dhe është duke zhvilluar negociata me Shoqatën e Aviacionit e të Kompanive të Sigurimit lidhur me bonuset e punëtorëve. Po ashtu, përfaqësuesit e saj po kërkojnë që të arrihet një kontratë e re kolektive, që do të përfshinte pagesën për punën jashtë orarit për stafin e sektorit të sigurisë dhe të shërbimeve në aeroportet komerciale.

Deri më tani, sindikalistët kanë refuzuar ofertat e Shoqatës së Aviacionit, teksa negociatat pritet të vazhdojnë javën e ardhshme, në datat 27 dhe 28 prill. Sa i përket grevës së punonjësve të hekurudhave, në Gjermani, Operatori Kombëtar i Hekurudhave ka paralajmëruar qytetarët se do të ketë “kufizime të mëdha” në transport.