Policia ushtarake dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit. Kjo lëvizje e policisë vjen për shkak të grevës të nisur nga kontrollorët e AlbControl ditën e sotme.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se edhe Forcat e Armatosura do të marrin në ruajtje godinën e Albcontrol.
Në një konferencë për shtyp, Balluku tha se Policia e Shtetit do të bëjë detyrën, duke nxjerrë nga godina ata kontrollorë që kanë shkelur ligjin.
Kontrollorët e trafikut ajror kanë ndalur punën pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë, me argumentin se kanë stres. Për pasojë sot janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit. Një gjë të tillë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e ka quajtur një grusht shteti, ku janë të përfshirë ish- kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Në një deklaratë për media, Balluku u shpreh se për shkak të pandemisë, trafiku ajror është ulur dhe paga e tyre nga 4400 dollarë në vitin 2019, ka rënë në 2490 dollarë.
Ministrja theksoi se trafiku ka rënë me 57% dhe kontrollorët janë paguar me 43%, në bazë të trafikut ajror.
Balluku paralajmëroi se me bllokimin e trafikut ajror në Rinas nga greva e kontrollorëve do të merren masa ligjore, pasi ky është cenim i sigurisë kombëtare. Ajo tha se kontrollorët kanë përveç pagave të larta edhe privilegje të tjera, si fakti që punojnë vetëm 17 ditë në muaj, apo 205 ditë në vit.