Në fjalën tradicionale të hapjes së Panairit të 88-të Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shpallur një kuadër të ri masash që synojnë rritjen e pagave dhe pensioneve, në një program masiv financiar për vitet e ardhshme me mbështetjen e potencialit prodhues të ekonomisë, tranzicionit të gjelbër, reagimit efektiv ndaj çështjes demografike dhe krizës klimatike.
Sipas tij nga 1 janari, kontributet e sigurimeve shoqërore do të ulen me 1%, në vend të 0.5% që ishte planifikuar fillimisht dhe ndërkohë më shumë se 2,000,000 pensione do të rriten nga 2.2% deri në 2.5%.
Gjithashtu nga prilli që vjen paga minimale do të rritet nga 830 euro që është sot ,deri në 950 euro, në prill të 2027,ndërsa do të ketë një shtesë të asistencave sociale për pensionistët apo familjet në nevojë.
“Greqia sigurisht që nuk mund të bëhet Zvicër apo Danimarkë, për sa i përket të ardhurave apo funksionimit të shtetit, brenda pesë vitesh. Por mund të përmirësohet vazhdimisht, me objektiva, me plan, me monitorim dhe rishikim të vazhdueshëm”, tha Kyriakos Mitsotakis-kryeministri grek.
Sa u përket rreth 700.000 nënpunësve të administratës shtetërore nga pranvera do të fillojnë të shohin rritje të reja pagash që do të arrijnë deri në 100 euro në muaj . Po ashtu edhe mjekët që do të punojnë në zonat e thella të vendit apo në ishuj, Forcat e Armatosura, Rojet Bregdetare, Policia dhe Zjarrfikësit do të kenë bonuse për shërbimin e tyre në orët e natës.