Bota

Greqia paralajmëron RMV, Mitsotakis: Rruga drejt Evropës do të jetë e mbyllur nëse nuk respektohet Marrëveshja e Prespës!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar sot Maqedoninë e Veriut se rruga e saj drejt Evropës do të jetë e mbyllur nëse nuk ka një respektim të plotë të Marrëveshjes së Prespës.

“Nëse disa nga ana tjetër besojnë se mund të mos e respektojnë Marrëveshjen, duhet të dinë dy gjëra: së pari, rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe e dyta, memorandumet që duhet të ratifikojmë nuk do të ratifikohen, përderisa nuk ka pajtueshmëri absolute. Pajtueshmëri absolute nga Qeveria e re në përputhje me atë që parashikon Marrëveshja”, tha Mitsotakis.

Athina zyrtare reagoi ashpër pasi në emërimin e saj presidentja e re e RMV, Gordana Siljanovska-Davkova iu referua vendit të vet si “Maqedoni” dhe jo “Maqedoni e Veriut”.

Kjo u shoqërua edhe me largimin e ambasadores greke në RMV nga salla.

Kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Glavçev thotë se vendi i tij e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Bullgaria disa herë ka deklaruar se është për perspektivën evropiane të vendit, por duhet të bëhen hapa gjatë rrugës, nëse ka një vullnet të tillë Maqedonia që të bëhet anëtare e BE-së, që do të thotë respektimin e marrëveshjeve”, tha Glavçev.

Kryeministri bullgar thotë se vendi i tij nuk do të jetë pengesë për integrimin e Maqedonisë në BE, nëse respekton marrëveshjet ndërkombëtare.

Kujtojmë se presidenti bullgar Rumen Radev dërgoi një paralajmërim të ashpër për politikanët në Maqedoni.

“Perspektiva evropiane e vendit varet nga zbatimi i rreptë i marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është anëtar, si dhe nga hapat e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022. Korniza e negociatave nuk do të rishikohet”, deklaroi Radev.