Rajoni

Greqi, tërmet 5,3 Rihter trondit Kretën/Nuk ka të lënduar!

Një tërmet i magnitudës 5,3 Rihter tronditi pjesën perëndimore të ishullit turistik të Kretës në Greqi, siç njofton Instituti i Gjeodinamikës në Athinë. Matjet fillestare treguan se lëkundja, në orën 07:02 të mëngjesit me atë lokale, u regjistrua rreth 18 kilometra nën shtratin e detit, duke goditur afro 60 kilometra në bregun jugor të ishullit pranë qytetit të vogël portual Palaiochora. Ky tërmet u parapri nga shumë të tjerë më të vegjël në rajon. Nuk raportohen të lënduar.

Agjencia greke e Mbrojtjes Civile nuk tha fillimisht nëse kishte viktima apo dëmtime në ndërtesa dhe nuk u dha paralajmërim për cunami.

Ne po vëzhgojmë fenomenin dhe nuk mund të themi ende nëse ky ishte tërmeti kryesor, u shpreh sizmologu Gerasimos Chouliaras për radion publike greke ERT.

Nuk pati raportime për të lënduar, sipas mediave lokale. Megjithatë, shumë njerëz u zgjuan nga gjumi. Tërmeti u ndje në pjesë të mëdha të Kretës.

Pllakat afrikane dhe europiane takohen nën shtratin e detit në jug të Kretës. Në mënyrë të përsëritur, kjo shkakton tërmete të forta.