Rajoni

Greqi, Mitsotakis: Fitorja në zgjedhje, mandat për ndryshime!

Në Greqi, lideri i konservatorëve Kyriakos Mitsotakis mposhti rivalin e qendrës së majtë, Alexis Tsipras dhe vuri në dukje se tashmë ka “një mandat të fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve për vendin. Një ditë më parë, në shtetin fqinj u mbajtën të dytat zgjedhje parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit fitoi 40.5% të votave, pothuajse 23% më shumë se subjekti i Tsipras-it, Syriza.

Syriza-n e mundi edhe në muajin e kaluar, por zgjedhjet e reja, Mitsotakis i shpalli për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin i vetëm, jo me një koalicion. Mbështetësve në Athinë, Mitsotakis u tha:

Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Europë.

Kyriakos Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë, si dhe menaxhimin e borxheve. Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata votuan për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta e përmirësim të shëndetit publik.

Partia e Tsipras-it, Syriza, humbi dhe më thellë se në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18% të votave. Ai hodhi poshtë spekulimet për dorëheqje, duke theksuar se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë.

Votimi në Greqi është i detyrueshëm, por ka përjashtime për personat që janë mbi moshën 70 vjeç, për shtetasit që ndodhen jashtë vendit gjatë ditës së zgjedhjeve, si dhe për ata që nuk mund të votojnë për arsye shëndetësore. Shanset e Mitsotakis-it për të fituar një mandat të dytë si kryeministër këtë herë ishin të mëdha edhe për shkak të ndryshimeve që iu bënë ligjit zgjedhor.

Ekspertët thanë se këto zgjedhje do të ishin një votë për ekonominë dhe reflektim i një ndryshimi që do ta çonte shoqërinë e Greqisë drejt konservatorizmit, pjesërisht për shkak të forcimit të qëndrimeve kundër emigracionit.