E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë Zhaklin Lekatari, për të folur mbi temën ‘a duhet ta trajnojmë partnerin apo jo’. E gjitha kjo nisur nga një deklaratë e Katy Perry që tha se e shpërblen me seks partnerin e saj, Orlando Bloom, nëse ai bën punët e shtëpisë…
A është e pranueshme t’i ‘trajnojmë’ partnerët?
Kam parë trendet në Instagram, më së shumti në këto faqet feministe, ku gratë shpesh herë thonë se burrat janë të parritur nga ana e inteligjencës emocionale, dhe kështu mendoj se ka ardhur edhe ky trend. Mendoj se në çift, ne e trajnojmë njëri-tjetrin në mënyrë natyrale. Vendosim hapësira për rregullat, kufijtë tanë vetjakë, çfarë gjejmë të pranueshme dhe çfarë mund të tolerojmë. Në këtë mënyrë, çiftet janë të afta të edukojnë njëri-tjetrin dhe nuk ka asgjë të keqe me këtë. Por ndonjëherë gruaja portretizohet si djall, sepse është ajo “e keqja”, do të bëjë burrin për vete dhe ta transformojë atë. Nuk është kështu.
Çfarë mendon për deklaratën e Katy Perry?
Mendoj se ishte thjesht diçka “funny”, ose në një farë mënyre një shkëndijë që donte t’u jepte grave. Nuk dua ta lexoj si diçka që nuk është; mendoj që është thjesht një spunto që thotë “shikoni se punët e shtëpisë duhet të bëhen nga të dyja palët”, por thjesht u tha në një mënyrë humoristike. A është shpërblim i mirë? Kjo mund të debatohet dhe unë mendoj se jo. Fokusi është tek përgjegjësitë që burri dhe gruaja ndajnë me njëri-tjetrin, detyrimisht sepse jetojnë nën të njëjtën çati. Nëse përdor shpërblim, ai do të rritet me kalimin e kohës dhe mësimi nuk qëndron.
A do ta shikoje ti si të pranueshme nëse do të kishe të ardhura të mjaftueshme dhe të mos shkoje në punë?
Mendoj se gruaja duhet të jetë ekonomikisht e lirë. Edhe nëse ke një burrë të kamur, duhet të kesh diçka që ta quash tënden. Këto role duhet t’i kemi si satelitë, thjesht një nga disa, si hobi, pasione, familja, puna, fëmija dhe burri, jo të përbëhen vetëm nga një individ. Kur ke pavarësi ekonomike, merr vendimet e tua. Edhe më bukur, mund të qëndrosh me një person sepse vërtet e do dhe jo se ke interesa ekonomike. Normalisht, ka disa gra që atë duan, të jenë shtëpiake dhe të kujdesen për burrin, shtëpinë dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të keqe, por prapë mendoj se ato duhet të paguhen për këtë punë të rëndësishme dhe të kenë një pavarësi ekonomike. Mendoj se është një metodë e mirë për të hequr rolet e vjetra, të ndërgjegjësohemi se burri dhe gruaja janë pjesë e të njëjtës shoqëri dhe kanë të drejta të barabarta.