Aktualitet

Grant për Start up-et, kriteret kush mund të aplikojë, deri të shpallja e përfituesve!

Çdo individ, i ri, student, shtetas shqiptar, i huaj apo edhe dixhital nomad që ka një ide dhe do ta zhvillojë mund të përfitojë mbështetje me grant nga qeveria, thirrja e së cilës do të çelet më 16 shkurt. Në vendimin e qeverisë specifikohet se “Mbështetjen me grant e përfitojnë start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik të start up-eve dhe lehtësuesve, që janë të pajisur me pasaportën përkatëse, sipas nenit 11, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, të ndryshuar. Subjektet kërkuese, start up, mund të aplikojnë si individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, përfshirë nomadin digjital”.

Çfarë kriteresh duhet të plotësojë aplikuesit për të përfituar një grant?

a)Të kenë përfunduar vetëdeklarimin në regjistrin elektronik të start up-eve dhe të jenë pajisur me pasaportën e start up-it përpara aplikimit;

b) Start up-et që përzgjedhin fazën aktuale të zhvillimit të specifikuar nëpërmjet formave të aplikimit:

faza fillestare (F1);
faza e validimit (F2);
faza e rritjes (F3).
c) Start up-et në fazën fillestare, e hershme, (F1) mund të jenë individë privatë, vendas ose të huaj, përfshirë nomadin digjital, të cilët kanë plan të vijojnë operacionet e biznesit në Shqipëri;

ç) Start up-et në fazën e validimit (F2) dhe fazën e rritjes (F3) duhet të jenë biznes i regjistruar ligjërisht në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë dhe jo më të vjetër se 6 (gjashtë) vjet në kohën e kërkesës;

d) Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e kërkesës;

dh) Një kërkues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për të njëjtën thirrje.

Mbështeten me grant lehtësuesit e start up-eve që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Kërkuesit duhet të jenë persona fizikë ose juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë ose në gjykatë në rastin e OJF-ve;

b) Të jenë në pronësi të shtetasve shqiptarë;

c) Të kenë kryer aktivitete në ndihmë të start up-eve gjatë 2 (dy) viteve të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë, të vërtetuar nëpërmjet kontratave dhe raporteve të publikuara;

ç) Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e kërkesës;

d) Një kërkues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për të njëjtën thirrje.

Projektet e shpallura fituese duhet të zbatohen brenda afatit kohor të përcaktuar në thirrjen publike për mbështetje, duke nisur nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së fitimit të grantit, midis përfituesit dhe Start up Albania.

Disbursimi i grantit për projektet e shpallura fituese bëhet deri në 3 (tri) këste pas përfundimit të periudhës së mbylljes së çdo faze të projektit, kundrejt dorëzimit të faturës/ave të shpenzimeve të kryera dhe dokumentacionit të kërkuar, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në rregulloren “Për zbatimin dhe monitorimin e projekteve fituese të thirrjes për masa mbështetëse”.

Start up-eve dhe lehtësuesve iu lëvrohet fondi për projektin në 3 (tri) këste:

a) Kësti i parë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së grantit;

b) Kësti i dytë: 40% (dyzet për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar të fazës së parë;

c) Kësti i tretë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar përfundimtar.

Afati për dërgimin e kërkesave për masa mbështetëse dhe periudha e thirrjes nuk mund të jetë më pak se 10 (dhjetë) ditë kalendarike dhe jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë.

Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike pas publikimit të “Thirrjes për kërkesa për masa mbështetëse”, me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen ngrihet Komisioni i Vlerësimit dhe Komisioni i Ankimit, duke caktuar edhe kryetarët përkatës.

Komisioni i Vlerësimit ka për qëllim shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave nga start up-et e lehtësuesit dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të cilët janë përfaqësues nga organet e administratës shtetërore, bota akademike, ekosistemi kombëtar dhe ndërkombëtar i start up-eve. Drejtori i Start up Albania është anëtar i Komisionit të Vlerësimit për shkak të detyrës.

Komisioni i Ankimit përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, të cilët janë përfaqësues nga organet e administratës shtetërore, bota akademike, ekosistemi kombëtar dhe ndërkombëtar i start up-eve. Edhe anëtarët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh.

Si do të vlerësohet kërkesa për masë mbështetëse?

Kërkesat shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit, ku secili nga anëtarët i vlerëson ato mbi bazën e pikëzimeve të caktuara në formularët e pikëzimit, të miratuar në rregulloren “Për zbatimin dhe monitorimin e projekteve fituese të thirrjes për masa mbështetëse”, të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen. Fituesit shpallen sipas renditjes së pikëve të mbledhura në raport me fondin total në dispozicion.

Subjekti përfitues pas marrjes së grantit duhet të raportojë pranë Start up Albania për ecurinë e zbatimit, bazuar në kushtet dhe afatet e përcaktuara në kontratën e grantit, udhëzuesin për raportimin periodik të progresit dhe dokumentet mbështetëse të raportimit, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.

Nga ana tjetër Start Up Albania do të kryejë monitorimin e zbatimit të projekteve dhe do të raportojë për mbarëvajtjen e tyre pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen./Monitor