Gazeta ‘Blick’ shkruan se futbollisti nga Zvicra thjesht nuk ngopet kurrë! Granit Xhaka ka luajtur 58 ndeshje këtë edicion për Bayer Leverkusenin dhe ekipin kombëtar të Zvicrës. Pushim në ndeshjen në dukje të parëndësishme ndaj Estonisë? Kjo nuk ishte çështje për kapitenin.
Në fitoren 4:0 në Luzern, Xhaka luajti 74 minuta para se trajneri Murat Yakin ta zëvendësonte. Vetëm Xherdan Shaqiri luajti më gjatë, pa llogaritur këtu tre mbrojtësit dhe portierin.
Nuk ka shenja të lodhjes te rekordmeni i Zvicrës sa u takon paraqitjeve. Ylli i Leverkusenit madje sakrifikoi disa ditë të pushimit para Kampionatit Evropian. Në vend se të rikuperohet pas dy trofeve në Gjermani, lojtari nga Baseli shfrytëzoi pak ditët e lira, para se t’i bashkohej ekipit nacional për një udhëtim të shkurtër në Angli.
Jo për të festuar, por për të vazhduar punën për diplomën e trajnerit.
“Të shtunën ne festuam me tifozët titullin e Leverkusenit. Të hënën udhëtova për në Birmingham në 6 të mëngjesit”, ka treguar Xhaka.
Ish-lojtari i Arsenalit ka kompletuar licencën A të UEFA-s atje. Si pjesë e përgatitjes për trajner, Xhaka e kaloi edicionin e kaluar duke punuar në ekipin e divizionit të pestë gjerman, Union Nettetal, ku luan vëllai i gruas së tij, Leonard Lekaj. Kapiteni i Zvicrës ishte i rregullt në fushë gjatë javës si asistent-trajner.
Pas udhëtimit në Angli, Xhaka iu bashkua Përfaqësueses së Zvicrës të premten e kaluar. Me 4906 minutat e jashtëzakonshme të luajtura këtë edicion. Kjo është e barabartë me tri ditë e gjysmë. Ndeshja ndaj Estonisë ishte rasti i fundit për t’i dhënë pushim atij. Kapiteni nuk do të dëshirojë të mungojë në testin e fundit para Evropianit, ndaj Austrisë të shtunën në St. Gallen.