Aktualitet

Grabitje në Kavajë e Tiranë, 4 në pranga dhe një në kërkim!

Në Kavajë finalizohet operacioni policor i koduar “Seven”, për zbardhjen e 7 vjedhjeve në banesa, të kryera në tre muajt e fundit. Në pranga ranë dy shtetas të moshave 20 e 29-vjeç e që bashkëpunonin mes tyre në kryerjen e grabitjeve. Uniformat blu sekuestruan disa pajisje dhe sende që i shërbenin kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale e po ashtu dy celularë e dy motoçikleta, me të cilat lëviznin të dyshuarit.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, si rezultat i punës së mirëfilltë hetimore dhe operacionale, të kryer menjëherë pas denoncimeve të marra nga qytetarët, për raste të ndryshme vjedhjesh në banesa, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seven”.

Në kuadër të këtij operacioni u zbardhën 7 raste vjedhjesh, të kryera në Kavajë, gjatë periudhës prill-qershor 2023, si dhe u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan 2 autorët e dyshuar të tyre, konkretisht shtetasit Sh. Ç., 20 vjeç dhe A. P., 29 vjeç, të dy banues në Golem.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në 7 banesa të ndryshme në qytetin e Kavajës, pajisje elektrike, mobilje dhe vegla pune.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kuti me çelësa mekanikë, gërshërë, kaçavida, 2 celularë dhe 2 motoçikleta me të cilat lëviznin këta shtetas.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasit Sh. Ç. dhe A. P.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq, në Tiranë dy persona 19 e 24-vjeç u arrestuan dhe një tjetër i moshës 53-vjeç u shpall në kërkim për një vjedhje të tre ditëve më parë në një subjekt privat që tregtonte pije alko’olike. Aty arritën të merrnin kasafortën, që më pas e hodhën në Liqenin Artificial.