Aktualitet

Grabitën taksistin nën kërcënimin e thikës, pranga çiftit në Durrës!

Dy persona ranë në prangat e bluve të Durrësit pasi kërcënuan me thikë një taksist dhe i morën një shumë parash. Për ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, u arrestuan një 26-vjeçar dhe një shtetase 29-vjeçe, respektivisht me banim në Durrës e Kavajë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i Policisë Durrës: 

Hipën në një taksi dhe më pas e kërcënuan me thikë drejtuesin e taksisë dhe i morën një shumë parash, falë reagimit të shpejtë të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga autorët e dyshuar.

Policia vuri në pranga një 26-vjeçar dhe një 29-vjeçare, të cilët kërcënuan taksistin me një thikë dhe i morën një shumë parash.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se dy shtetas kishin kërcënuar me thikë një drejtues taksie dhe i kishin marrë një shumë parash, menjëherë organizuan punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve, konkretisht shtetasit:

– A. B., 26 vjeç, banues në Durrës

– V. B., 29 vjeçe, banuese në Kavajë

Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00, në lagjen Nr.13, në vendin e quajtur rrethrrotullimi “ILIRIA” në plazh, këta shtetas hipën në automjetin taksi me drejtues shtetasin I. K.

Në momentin që hipën në makinë, shtetasi A.B. dyshohet se kërcënoi taksistin me një thikë, ndërsa shtetasja V.B. i mori një shumë parash që taksisti kishte në makinë (xhiron ditore) dhe u larguan nga automjeti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.