Aktualitet Travel

“GQ Italia”: Pushimet në Shqipëri në listat e dëshirave të turistëve!

“Organizoni një udhëtim rrugor përgjatë bregdetit të Shqipërisë ku mund të gjeni plazhe ende të paprekura, shtretër deti të jashtëzakonshëm, male pranë detit dhe gjithashtu një kuzhinë të shkëlqyer. A ia vlejnë ende pushimet në Shqipëri? Sipas mendimit tonë, po, duke qenë se xhevahiri i vogël i Ballkanit vazhdon të konfirmojë aftësinë e tij për të befasuar dhe mahnitur sërish turistët”, shkruan Elena Barassi në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “GQ Italia”.

Shumë pranë Italisë, qiellore dhe gjithashtu ekonomike, Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve falë bregdetit të saj, e karakterizuar nga plazhe të bardha, limane të egër e ujëra të pastra kristal. Gjithashtu, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse në thellësi të Bjeshkëve të Nemuna, një park kombëtar ideal për ekskursione e shëtitje me biçikletë, por i njohur dhe për besën shqiptare, një kod nderi që përkthehet në mikpritje, ndershmëri, besnikëri dhe besim.

Më poshtë vijojnë vendet që nuk duhet të humbisni (për t’i vizituar ose rivizituar absolutisht këtë verë) në Tokën e Shqiponjave.

Dhërmiu

Ndalesa e parë për pushimet tuaja në Shqipëri duhet të jetë Dhërmiu. Dhërmiu është një fshat përrallor me shtëpi të bardha e kisha me kupola blu. I rrethuar nga peizazhi i thyer malor e një portë hyrëse në Parkun Kombëtar të Llogorasë, si dhe nga peizazhet e egra të Gadishullit të Karaburunit, njihet për shpellat detare e limanet e fshehura, të arritshme vetëm me varkë. Mund të kryeni udhëtime të gjata nëpër male. Aty ofrohet një program ekskursionesh për të zbuluar zonën përreth, në një atmosferë arratisjeje të vërtetë mendore e fizike.

Në plazhin e Palasë, i cili po shndërrohet me shpejtësi në një nga plazhet më ekskluzive në Shqipëri, ndodhen baret e plazhit më të mira për të dashuruarit që kërkojnë privatësi. Plazhi i Gjipesë, i fshehur mes tokave të thyera të mbuluara me shkurre mesdhetare, në gjysmë të rrugës midis Dhërmiut dhe fshatit Vuno mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë.

Saranda e gjallë

Në jug të vendit, Saranda ofron një ndërthurje perfekte të hapësirave të rërës së bardhë apo shkëmbinjve gëlqerorë si Plazhi i Qiellit, Plazhi i Manastirit dhe Plazhi i Pulëbardhës, baret dhe klubet e natës e bëjnë vendin e përsosur për pushime plot argëtim. Përveç jetës së natës, këtu mund të zbuloni perla autentike kulturore si Kalaja e Lëkurësit, nga e cila gjithashtu mund të shijoni një pamje të mrekullueshme të qytetit, sitin arkeologjik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mbetjet e qytetit antik grek janë zhytur në një pyll në bregun e një liqeni brenda një Parku Kombëtar 29 hektarësh dhe në fund mbetjet e sinagogës së lashtë hebreje (e cila daton në shekullin e V).

Padyshim, peshku është një pjatë mjaft e shijshme, por edhe trileçja, që së bashku me bakllavanë janë ëmbëlsirat më të pëlqyera nga shqiptarët.

Arkipelagu i Ishujve të Ksamilit

Brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, Ksamili mbetet një ëndërr ose më mirë, Parajsa e Rivierës Shqiptare, me shtrirje bregdetare që vështron bregun e Jonit në anën ballkanike dhe që padyshim është spektakolare.

Gjashtë milje nga Greqia, (në fakt, Ksamil do të thotë “gjashtë milje”) apo më mirë nga Korfuzi që ndodhet pikërisht përballë tij, ju mund të zbuloni bukurinë e tre ishujve idilik, të arritshëm me not ose me varkë, të mbuluar nga bimësia mesdhetare e një rrip i vogël rëre të bardhë që derdhet në ujërat bruz dhe që lidh një ishull me tjetrin e në të cilin mund të ecësh në ditët e baticës kur dallgët përplasen mes një ishulli dhe një tjetri, duke krijuar një veçori të pabesueshme ujore, madje do të ndiheni sikur jeni në Karaibe ose në Maldive.

Mos humbisni plazhin “Tre Ishujt”, ku deti është një akuarel bruz dhe çadrat e kashtës ofrojnë strehë nga vapa e verës. Vendi i përkryer, mbi të gjitha, për ata që duan të pushojnë nën ritmin e muzikës.

Me varkë në gjirin e Vlorës

Qyteti i lashtë dhe porti natyror në kanalin e Otrantos, Vlora ndodhet në pikën ku deti Adriatik i hap rrugën detit Jon, shtrati i detit bëhet gjithnjë e më i thellë, brigjet më të thepisura dhe plazhet ndryshojnë nga rërë në shkëmbinj e guralecë.

Por, xhevahiri i vërtetë është Gadishulli i Karaburunit, një zonë ish-ushtarake, tashmë e hapur për turizmin, një park natyror i mbrojtur me përmasa 15 me 4 kilometra, i mbushur me maja malesh që arrijnë 1200 metra lartësi, shkëmbinj të thepisur që zhyten në det, gjire të virgjër që hapen në ujëra të pastër dhe shpella që fshehin mrekulli të jashtëzakonshme natyrore. Por, edhe shumë bunkerë, emblema e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

Janë pikërisht bunkerët, 3600 prej tyre, por jo vetëm kaq, atraksioni i Sasenos, një ishull i vogël, jo shumë larg nga bregdeti i Vlorës, dikur një bazë ushtarake italiane e më pas sovjetike, më vonë shtëpia e rojeve të qeverisë së Enver Hoxhës. Por sot është një Parajsë e Vogël e natyrës së egër e të pandotur.

Mos humbisni, në jug, “Plazhin e Admiralit”, ku deti i kristaltë është i rrethuar nga pisha, apo Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Shën Nikollës dhe Gryka e Djallit, ku mund të admironi peizazhin e mrekullueshëm të një hyrjeje të thellë të ngjashme me një shpellë në ajër të hapur.

Gjipe, mes plazhit dhe kanionit

Eden i vogël i Shqipërisë është plazhi i Gjipesë, i fshehur mes shkëmbinjve të lartë të një kanioni. Vështirë për t’u arritur, pa dyshim, por sapo të mbërrini do të kuptoni se kjo është një strehë e vërtetë paqeje. Para së gjithash, këtu nuk mund të arrish me makinë, por vetëm përmes një shtegu të ngushtë përgjatë bregut, ose dembelët mund të arrijnë gjithmonë me varkë nga Jala, një plazh i vogël i vendosur midis kodrave të thepisura të mbjella me ullinj në një gji të mbrojtur nga malet, shumë i frekuentuar në verë.

Mure të larta shkëmborë, bimësi e dendur dhe ujëra bruz janë pjesë e Gjipesë, por e pajisur me disa çadra dhe një kioskë të vogël. Perla e vërtetë këtu është kanioni piktoresk, 80 metra i lartë i mbuluar plotësisht nga një pyll i padepërtueshëm dhe një shteg që duket si një shtrat lumi dhe Dhërmiu, fshati i vogël që ndodhet pranë qafës së Llogorasë, rrëzë Maleve te Rrufeve.

Borshi, Retro

Ndër fshatrat më piktoreskë të Rivierës Shqiptare, Borshi ka ruajtur shpirtin autentik të vendit. Pak Retro me kështjellën e tij mesjetare dhe atë joshjen e viteve ’80, por me një pamje të pashembullt të një bregdeti 7 kilometra me zhavorr të bardhë dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pemëve të ullirit e agrumeve.

Një parajsë e vërtetë për adhuruesit e sporteve ujore si lundrimi, kanoe, kajak, këtu në mbrëmje mund ta gjeni veten duke parë yjet nën tingujt e muzikës.