Google ka paralajmëruar përdoruesit e saj që të mos injorojnë kurrë sinjalizimet e rëndësishme që synojnë t’i mbajnë llogaritë e tyre të sigurta. Kjo për faktin se këto sinjalizime ndihmojnë në parandalimin e njerëzve të tjerë nga “përdorimi ose abuzimi” i llogarisë suaj prandaj rekomandohet t’u përgjigjeni menjëherë.
Google do t’i dërgojë një përdoruesi sinjal vetëm në tri raste specifike. E para është kur zbulon veprime të rëndësishme në llogarinë tuaj, për shembull nëse dikush e hap llogarinë në një pajisje tjetër. E dyta është kur zbulon aktivitet të dyshimtë, për shembull nëse dërgohen një numër i madh i email-ave.
Dhe së treti, kur e zbulon se dikush po përpiqet të ndërmarrë një veprim si rishikimi i fjalëkalimeve të ruajtura. Kur këto ndodhin, Google u kërkon përdoruesve të rishikojnë sinjalin që ajo e dërgon dhe mos ta injorojnë pasi kjo do të dërgojë në vjedhjen e të dhënave të ndjeshme të përdoruesit. Ndërkaq, për t’u mbrojtur nga sulmet kompania e lejon edhe ndryshimin e fjalëkalimeve.
Rikujtojmë se Google ka prezantuar së fundmi funksionin e ri për blerje online i cili fillimisht është i disponueshëm vetëm për disa përdorues në SHBA. Funksioni i ri “style recommendations” vjen në kuadër të aplikacionit Google dhe do ju ndihmojë të zgjidhni rroba që përputhen me stilin tuaj të veshjes. Ky seksion do të rekomandojë rroba dhe aksesorë të ndryshëm. Për më tepër, kompania do të kujtojë preferencat tuaja edhe për herën tjetër, dhe do të merrni rezultate bazuar në to.
Por, kjo nuk është e gjitha. Gjiganti teknologjik thekson se ju mund edhe të specifikoni markat që pëlqeni. Pasi të zgjidhni markat, rezultatet e kërkimit do t’i japin përparësi vetëm produkteve nga ato marka. Vitin e kaluar, Google hoqi më shumë se 5,5 miliardë reklama që shkelnin udhëzimet në internet të kompanisë ose ishin të destinuara për qëllime mashtruese.