Google Meet po merr një veçori të re të fuqizuar me AI të quajtur “Take notes for me”. Bëhet e ditur se kjo veçori automatikisht do të marrë shënime gjatë takimeve tuaja, duke e bërë më të lehtë për ju që të përqendroheni në bisedë dhe të mos shqetësoheni për humbjen e detajeve të rëndësishme.
Si një veçori ekskluzive e Google Workspace, përpara se të jetë e disponueshme për të gjithë, Google po u jep administratorëve mundësinë për të kontrolluar nëse përdoruesit e tyre mund ta përdorin atë.
Administratorët mund ta aktivizojnë ose çaktivizojnë funksionin për grupe të veçanta përdoruesish ose për të gjithë në të njëjtën kohë, shkruajnë mediat e huaja.
Siç raportohet, kjo veçori e re e marrjes së shënimeve me AI është pjesë e paketës së mjeteve të AI të Google Gemini. Për momentin, është e disponueshme vetëm për klientët që kanë një licencë shtesë Gemini Enterprise, Gemini Education Premium ose AI Meetings dhe Messaging.
Vetëm përdoruesit të cilëve u është caktuar një nga këto licenca do të mund të përdorin veçorinë e mbajtjes së shënimeve.
Funksioni “Take notes for me” përdor teknologjinë e avancuar të AI të Google për të transkriptuar dhe përmbledhur takimet tuaja në kohë reale.
Sigurisht, ka edhe disa dobësi të mundshme. Disa njerëz mund të jenë të shqetësuar për privatësinë. Në fund të fundit, AI do të dëgjojë dhe transkriptojë gjithçka që thuhet në takim.