Amazon dhe njësia e Alphabet, Google, së fundmi kanë kritikuar ndryshimet në cloud computing të Microsoft, duke thënë se ato kufizojnë konkurrencën dhe i largojnë klientët nga përdorimi i ofruesve rivalë të shërbimeve cloud. Gjiganti amerikan i software njoftoi se ndryshimi i marrëveshjeve të licencës dhe ndryshimet e tjera do të hyjnë në fuqi më 1 tetor, dhe se, sipas tyre, do ta lehtësojnë konkurrencën për ofruesit e shërbimeve cloud.
Amazon, Google, Alibaba dhe shërbimet cloud të Microsoft do të përjashtohen nga marrëveshjet. Lëvizja e Microsoft vjen pasi disa konkurrentë të vegjël në Bashkimin Europian u dërguan ankesat e tyre mbi praktikat e shërbimeve të tij cloud autoriteteve antitrust të BE, të cilat pyetën më pas operatorët e tregut mbi çështjen dhe ndikimin që kanë pasur. Amazon, ofruesi kryesor i shërbimeve cloud, i ndjekur nga Microsoft e Google, kanë shprehur kritika të ashpra. Një zëdhënës i njësisë së saj të shërbimeve cloud AWS në një email deklaroi se:
Microsoft tani po dyfishon të njëjtat praktika të dëmshme, duke zbatuar edhe më shumë rregullore në përpjekje për të kufizuar konkurrencën me të cilën duhet të përballet, në vend që të dëgjojë klientët dhe të rivendosë licencimin e drejtë software në cloud për të gjithë.
Ndërkohë që edhe zëvendëspresidenti i Google për çështjet dhe politikat administrative të Google Cloud, Marcus Jadotte, ishte po aq i ashpër kur postoi një tweet.
Premtimi i cloud është një teknologji elastike, pa detyrime kontraktuale. Përdoruesit duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirisht mes platformave dhe të zgjedhin teknologjinë që është më e përshtatshme për ta, në vend të asaj që funksionon më mirë për Microsoft.