Pas konferencës me kryeministrin Rama, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato shkoi në Kuvend ku i dorëzoi progres-raportin e 2024-ës, kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Në një deklaratë për mediat, dha mesazhet kryesore, duke u shprehur se integrimi i Shqipërisë nuk është çështje e opozitës apo maxhorancës, por me rëndësi për të gjithë vendin. Gjithashtu nënvizoi se rolin e saj, opozita duhet ta luajë në parlament.
Reagoi Gazment Bardhi. Sipas kreut të grupit demokrat, “fshehja e realitetit/të vërtetës pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë! Realiteti/e vërteta është që opozita është përjashtuar nga Kuvendi pa ligj dhe me një rregull që është shfuqizuar prej 6 muajsh nga Gjykata Kushtetuese. Parlamentarizmi ka në themel të tij respektimin e Kushtetutës, si mundësia e vetme e bashkëjetesës mes palëve që mendojnë ndryshe”, theksoi Bardhi.
Bëhet thirrje që opozita të luajë rolin e saj brenda Parlamentit; ndërkohë mundësia e opozitës për të hyrë brenda dhe pastaj për të patur mundësi të luaj rolin e saj brenda Parlamentit paraqitet kështu në realitet!
Fshehja e realitetit/të vërtetës pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë! Realiteti/e vërteta është që opozita është përjashtuar nga Kuvendi pa ligj dhe me një rregull që është shfuqizuar prej 6 muajsh nga Gjykata Kushtetuese.
Parlamentarizmi ka në themel të tij respektimin e Kushtetutës, si mundësia e vetme e bashkëjetesës mes palëve që mendojnë ndryshe.
Raport-progresi 2024 i Komisionit Europian për Shqipërinë, sot iu dorëzua drejtuesve më të lartë të vendit nga ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, i cili dha një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama. Gonzato theksoi se Komisioni sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE, vitet e ardhshme. “Siç e theksoi edhe presidentja Von der Leyen gjatë vizitës së javës së kaluar, nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë të çelë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të 2025-ës”, deklaroi diplomati europian.
Ambasadori Gonzato, vuri në dukje se Komisioni Europian thotë se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat për anëtarësim, deri në fund të 2027-ës. Sipas diplomatit, “këto afate ambicioze mund të bëhen realitet në rast se autoritetet shqiptare intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE-ja”.