Aktualitet

Gonzato: Censi, me rëndësi në bisedimet për anëtarësim në BE!

Kryetari i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Silvio Gonzato nënvizoi sot rëndësinë e të dhënave të Censit të popullsisë dhe banesave, ndërsa u shpreh se ato janë thelbësore për procesin e integrimit europian. Gjatë prezantimit të rezultateve të Censit të popullsisë dhe banesave 2023, Gonzato theksoi se prej tij sigurohen të dhëna mbi të cilat ndërtohen politikat dhe ofrohen shërbimet publike.

Censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e bisedimeve për integrimin në Bashkimin Europian. Informacioni i saktë dhe i besueshëm është thjeshtë thelbësor, vuri në dukje diplomati. Sipas ambasadorit, “të dhënat e Censit i ndihmojnë autoritetet që të ruajnë ritmin me demografikën e Shqipërisë moderne që ndryshon me shpejtësi”.

Shifrat e prezantuara qartësisht tregojnë se kjo zbatohet edhe për Shqipërinë. Shqipëria dhe rajoni përballen me sfida mjaft specifike demografike. Eshtë e rëndësishme që informacione statistikore të besueshme të jenë në dispozicion. Informacioni i saktë shërben për mekanizmat e ngritura për të garantuar të drejtat e pakicave dhe grupeve në nevojë, deklaroi Gonzato.

Censi, sipas tij, “është po kështu mjaft i rëndësishëm në kontekstin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Nuk është pa arsye që në negociatat për anëtarësim me BE-në, kapitulli për statistikat përfshihet në të ashtuquajturit grupkapituj themelorë. Informacioni i besueshëm statistikor është thelbësor. Informacioni në Bashkimin Europian nga Censet kombëtare përcakton numrin e votave të shteteve anëtare në institucionet e Unionit, si dhe luan një rol për kontributet financiare që do të jepen.

Ambasadori theksoi se Bashkimi Europian ka qenë partner i INSTAT-it në këtë proces, duke mbështetur Censin.

Rezultatet që po prezantohen sot do të shihen me kujdes nga shumë aktorë, përfshi edhe nga ne. Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e tij për Shqipërinë, për të zhvilluar më tej sistemin statistikor të shtetit shqiptar. Jemi gati të marrim pjesë në këtë diskutim të politikave dhe hartimin e masave të reja që mund të jenë të nevojshme si rezultat i të dhënave, tha diplomati europian Gonzato.