Aktualitet

Gomonia përplasi pushuesin në Karaburun, dëmtohet 56-vjeçari nga Tirana!

Një 56-vjeçar nga Tirana u lëndua në Karaburun, i goditur nga helika e një gomoneje që po ankorohej në molin e vjetër të ish-ushtrisë, në gjirin e “Shën Janit”. Ngjarja ndodhi kur i dëmtuari sapo kishte zbritur nga një anije turistike. Policia saktëson se nuk është fjala për zonë plazhi. I plagosuri mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportua me helikopter në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, ndërsa drejtuesi i tij u shoqërua nga uniformat blu për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Njoftimi i Policisë Vlorë: 

Sot, në Karaburun, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin F. T., gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit”, aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli. (Nuk kemi të bëjmë me zonë plazhi).

56-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore në spital, ndërsa mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare. Drejtuesi i gomones është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Më herët u njoftua se një shtetas u gjobit me masë administrative 100 mijë lekë, si dhe iu bllokua mjeti lundrues, pasi kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore në Gjirin e Lalzit, në Durrës. Bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve në rrjetet sociale policia ka ndërhyrë menjëherë në plazhin e Gjirit të Lalzit, duke bërë bllokimin e mjetit lundrues motor uji, që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore duke vënë në rrezik jetën e pushuesve në plazh.

E.Ll u ndëshkua nga Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare.

Bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve në rrjetet sociale policia ka ndërhyrë menjëherë në plazhin e Gjirit të Lalzit, duke bërë bllokimin e mjetit lundrues motor uji, që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore duke vënë në rrezik jetën e pushuesve në plazh.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, Policia Kufitare falënderon e fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.