Auto & Moto

Golf publikon imazhe të modelit të ri GTI!

Volkswagen Golf GTI Clubsport i ri debuton zyrtarisht më 31 maj. Marka ka ndarë së fundmi disa imazhe të modelit. VW premton se Clubsport do të jetë GTI më i fuqishëm me rrotat e përparme. Ai vjen me një modalitet të veçantë të lëvizjes që synon pista si Nurburgring. Ndërsa ende saktë nuk dihet se sa kuaj fuqi do të ketë, thuhet se ai do të fuqizohet nga më shumë se 241 kuaj fuqi, sa ka aktualisht GTI.

Volkswagen tashmë zyrtarisht ka prezantuar edhe modelin e ri të Golfit, të quajtur Golf Mk8.5. Golfi i ri ka një dizajn “më të mprehtë”, sistem të ri të infotainment, duke sjellë përmirësime të dukshme mekanike. Ndryshimin më të madh në pjesën e jashtme e paraqesin dritat e rifreskuara LED, ku modeli më i shtrenjtë ka dritat e përparme “full-LED.” Në pjesën e pasme gjenden dritat moderne me grafikë 3D të ngjashme me ato që i ofron Audi në modelet e saj.

Rikujtojmë se Volkswagen do ta integrojë chatbotin me Inteligjencë Artificiale, ChatGPT në sistemin info-argëtues te disa prej modeleve të kompanisë. Chatboti do të vijë si standard në gjeneratën më të fundit të sistemit info-argëtues të Volkswagen tek modelet ID.3, ID.4, ID.5 dhe ID.7 gjithashtu edhe tek modeli Tiguan i ri dhe tek Golfi i rifreskuar duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2024.

Teksa ChatGPT bëri emër me disa veçori specifike interesante, roli i tij në makinat e ardhshme të Volkswagen është më i përmbajtur. Chatboti do të integrohet në asistentin aktual VW, IDA, i cili mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe kërkesave të thjeshta si ndryshimi i temperaturës ose vendosja e një destinacioni në sistemin e navigimit. Prodhuesi gjerman i automjeteve thotë se chatboti nuk fiton asnjë akses në të dhënat e automjetit dhe se pyetjet dhe përgjigjet fshihen menjëherë për të siguruar nivelin më të lartë të mbrojtjes së të dhënave.