Anëtari i kabinetit të luftës izraelite, Benny Gantz ka dhënë dorëheqjen nga qeveria e Benjamin Netanyahut, duke i dhënë një goditje kryeministrit pas lirimit të disa pengjeve në Gaza.
“Largimi nga qeveria është një vendim kompleks dhe i dhimbshëm. Fatkeqësisht, Netanyahu na pengon të arrijmë fitoren e vërtetë,” tha Gantz në një deklaratë televizive.
Vendimi i Gantz, i konsideruar si sfiduesi kryesor politik i Netanyahut,përmbush një ‘ultimatum’ që ai i dha kryeministrit muajin e kaluar, duke i bërë thirrje atij të hartonte një plan të ri për luftën kundër Hamasit deri më 8 qershor.
Gantz pritej të jepte dorëheqjen të shtunën, por e shtyu njoftimin pas lajmeve se forcat izraelite kishin shpëtuar katër pengje në një operacion që zyrtarët e Gazës thanë se la më shumë se 270 palestinezë të vdekur.
Dorëheqja e tij vjen pavarësisht se Netanyahu i bëri thirrje Gantz të qëndrojë në qeverinë e emergjencës të Izraelit, duke thënë se kjo është koha për unitet, jo përçarje.
“Ne duhet të mbetemi të bashkuar brenda vetes përballë detyrave të mëdha që kemi përpara. I bëj thirrje Benny Gantz mos e lini qeverinë e urgjencës. Mos hiqni dorë nga uniteti”, i kërkoi Netanyahu në Telegram.
Vendimi i Gantz nuk e vë qeverinë e Netanyahut në rrezik të menjëhershëm, shkruan CNN, pasi partia e tij nuk ishte pjesë e koalicionit të kryeministrit, i cili ruan një shumicë me 64 vende në Knesset 120 anëtarësh, të parlamentit te Izraelit.
Megjithatë, ajo do të largohej nga kabineti i luftës, i ngritur katër ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, pa përfaqësim nga asnjë parti tjetër përveç Likud-it të Netanyahut.
Përveç kryeministrit, i vetmi anëtar tjetër i qeverisë së urgjencës me fuqi vendimmarrëse është ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, gjithashtu nga Likud.
Vendimi i Gantz vjen ndërsa Netanyahu përballet me thirrje në rritje nga aleatët perëndimorë të Izraelit dhe familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza për t’i dhënë fund luftës dhe për të rikthyer robërit.
Tetë muaj që nga fillimi i luftës, Izraeli ende nuk i ka arritur objektivat e tij të deklaruara pasi shumica e udhëheqjes së lartë të Hamasit mbetet e lirë dhe më shumë se 100 pengje janë mbajtur në enklavë.