Policia e Shtetit njofton se ka finalizuar tre operacione kundër lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare, dy prej tyre u zhvilluan në Dibër dhe një në Vlorë.
Njoftimi zyrtar:
Policia e Dibrës, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontrolle në disa automjete dhe shtetas, që lëviznin në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë. Si rezultat i kontrolleve, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M.Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrolit në automjetin që ky shtetas drejtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi e ndarë në doza. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për pasagjerët që udhëtonin me 27-vjecarin, konkretisht shtetasit M.A.; M.Ç.; B.H.; E.V.; të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallzim i krimit”.
Policia e Dibrës njofton se po nga këto shërbime, nisi procedimi penal për shtetasin E.B., 37 vjeç, banues në Bulqizë, pasi gatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde narkotike kokainë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Po kështu, Policia e Vlorës në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin grek D. M., 27 vjeç, banues në Gjermani.
Gjatë kontrollit në banesën ku ky shtetas qëndronte, shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen kryesisht në lokalet e natës në qytetin e Vlorës. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.