Shumë i drejtpërdrejtë, Elon Musk nuk u kursye aspak kur reklamuesve që u larguan nga platforma X e që më herët njihej si Twitter, për shkak të përmbajtjes antisemitike, iu drejtua me fjalët:
Go fuck yourself!
Deklaratën e bëri gjatë një interviste të dhënë në samitin e New York Times, DealBook. Musk përsëriti se i vjen keq që publikoi postimin e 15 nëntorit në X, ku shprehej se “pajtohej me postimet kundër hebrenjve”. Që atëherë, manjati është përballur me kritika të shumta, pasi ra dakord me një përdorues të X-it, i cili në mënyrë të rreme pretendoi se hebrenjtë po nxisnin urrejtje ndaj njerëzve të bardhë.
Në postimin e tij, Musk theksoi se përdoruesi, i cili iu referua teorisë së konspiracionit të “Zëvendësimit të Madh”, po thonte të vërtetën.
Dje deklaroi se iu dha në duar “një armë të mbushur” si kundërshtarëve, ashtu edhe personave që kanë pikëpamje antisemitike, duke e përshkruar postimin e tij si “gjënë më të keqe” sa i përket postimeve online.
Musk, njëherazi shef ekzekutiv i Teslas, u shpreh se ideja që paraqiti ishte antisemitike dhe reklamuesit që u larguan nga X, nuk duhet të mendojnë se mund ta shantazhojnë.
Nëse dikush do të tentojë të më shantazhoj me reklama, të më shantazhojë me para, pirdhuni! Pirdhuni! A është e qartë? Shpresoj që po! Bob, nëse je aty…
Me gjasa, iu referua Robert Iger-it, shefit ekzekutiv të Walt Disney-t, që largoi reklamat në X. Më herët, Iger u shpreh:
Nuk ishte pozitive për ne!
Musk pretendoi se ka bërë më shumë për mjedisin, përmes kompanisë Tesla, se kushdo tjetër në botë, pasi Tesla ka shitje masive të makinave elektrike.
Do të ishte e drejtë ta them që si lider i kompanisë, unë kam bërë më shumë për mjedisin se kushdo, se çdo njeri në Tokë.
Deklaratat erdhën në të njëjtën ditë që kreu i Senatit Amerikan, Chuck Schumer, paralajmëroi rritjen e antisemitizmit, që nga nisja e luftës mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Schumer theksoi se situata me antisemitizmin ka arritur në një pikë, që sipas tij, “kërcënon sigurinë e hebrenjve në mbarë botën e të ardhmen e Izraelit”.
Kur Musk bëri postimin antisemitik më 15 nëntor, Shtëpia e Bardhë reagoi duke e cilësuar si “promovim të antisemitizmit dhe urrejtjes racore”.
Teoria konspirative e “Zëvendësimit të Madh” pretendon në mënyrë të rreme se hebrenjtë dhe të majtët po projektojnë zëvendësimin etnik e kulturor të popullatës të bardhë me emigrantë jo të bardhë, duke argumentuar se diçka e tillë çon në “gjenocid ndaj të bardhëve”.
Pas postimit në X të Musk-ut, kompani të mëdha amerikane, përfshirë Walt Disney, Warner Bros Discovery e Comcast, larguan reklamat e tyre nga ky rrjet social, që është në pronësi të miliarderit Musk. Ata thanë se postimi mbështeste nazizmin. Javën e kaluar, kjo platformë sociale ngriti padi ndaj Media Matters për shpifje.