Tech

“GM” shpall objektivin për makinat elektrike!

“General Motors”, prodhuesi më i madh i makinave në Shtetet e Bashkuara planifikon t’i bëjë të gjitha automjetet pa karbon deri në vitin 2040 dhe të shesë vetëm ato me emetime zero të dioksidit të karbonit deri në vitin 2035. Zotimi i kompanisë vjen një javë pas marrjes së detyrës nga Presidenti amerikan, Joe Biden i cili ka deklaruar si prioritet ndryshimet e klimës.

Vitin e kaluar, “GM” shiti 2.55 milion automjete në Shtetet e Bashkuara, nga të cilat vetëm 20,000 ishin elektrike. Kompania tha në muajin nëntor se po investonte 27 miliardë dollarë për automjetet elektrike dhe autonome gjatë 5 viteve të ardhshme, nga 20 miliardë të planifikuar para pandemisë së koronavirusit.

Shefja Ekzekutive e “GM”, Mary Barra, ka ndërmarrë veprime agresive që kompania të përqafojë automjetet elektrike dhe të largohet nga ato me benzinë. Ajo tha në një deklaratë se “GM” ka bashkëpunuar me Fondin e Mbrojtjes së Mjedisit për “një vizion të përbashkët që parashikon një të ardhme tërësisht elektrike, me aspiratën për të eleminuar shkarkimet e gazeve në atmosferë nga automjetet e reja të madhësive të vogla deri në vitin 2035.”