Sport

Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia mposht Flamurtarin!

Vllaznia ka siguruar një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, shkodranët mposhtën Flamurtarin me rezultatin 1-0 (ndeshja e parë ishte mbyllur me fitoren e Vllaznisë 1-2). Golin vendimtar në këtë sfidë e shënoi Zinedin Mustedanagic, i cili mund të konsiderohet edhe si njeriu i Kupës për kuqeblutë duke qenë se për të ishte goli numër gjashtë në këtë kompeticion.

Sa i takon kronikës së sfidës, ishin miqtë atë që u shfaqën më kërkues teksa në fillimin e pjesës së parë, Andi Ribaj u ndal vetëm nga shtylla, ndërsa në minutën e 44-rt, Flamurtarit iu anulua edhe një gol për pozicion të parregullt. Ndërkohë, fraksioni i dytë nisi ndryshe për të besuarit e trajnerit Thomas Brdaric që iu afruan golit me Çobën, por talenti i shkodranëve u ndal nga shtylla.

Gjithsesi, “goli ishte në ajër” për Vllazninë dhe në vazhdim shënoi Mustedanagic me kokë duke shfrytëzuar në maksimum edhe harkimin e Hakajt. Ndërkaq, pas këtij episodi vlonjatët u dorëzuan dhe minutat e mbetura nuk prodhuan më asnjë rast për t’u veçuar me Vllazninë që mbërrin në gjysmëfinalen e Kupës dhe me Flamurtarin që e mbyll këtu rrugëtimin për t’u përqëndruar tashmë në kampionatin e Kategorisë së Dytë.

Trajneri i Flamurtarit, Dritan Resuli theksoi se skuadra e tij “bëri një paraqitje pozitive”, ndërsa shtoi se vlonjatët kanë një projekt dhe kërkojnë të kthehen sa më shpejt aty ku e meritojnë. Të luash me Vllazninë dhe të ndihesh si në Superiore është diçka e rëndësishme! Ne e dimë se Vllaznia është ndër më të mirat, bëmë një paraqitje dinjitoze në të dyja ndeshjet dhe t’i kthehemi kampionatit për të rikthyer Flamurtarin aty ku i takon.

E dinim që do të ishim në presion nga Vllaznia dhe u morëm me tranzicionin dhe e bëmë mirë edhe duke llogaritur kapacitetet që kemi. Kemi një rast të dyshimte për golin, shanset i kishim, por nuk dua të merrem me arbitrimin. Jemi pjesë e një projekti, do të shohim edhe elementë të rinj nga U19 që t’i bashkohen grupit.

Partizani dhe Dinamo ofrojnë një tjetër derbi shkëndijash, në çerekfinalen e kthimit të Kupës sot në orën 18:00. Gjithçka e hapur me çështjen e kualifikimit, rinis nga barazimi 1-1 i sfidës së pare, me të dyja skuadrat që kërkojnë dëshpërimisht një biletë për në gjysmëfinale.