Aktualitet

Gjysma e peshkut të zënë vitin e kaluar në vend ishte nga rezervatet!

Fermat e peshkut janë zgjeruar me shpejtësi në dekadën e fundit, duke kontribuar gati në gjysmën e sasisë së peshkut të zënë vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it për ecurinë e sektorit të peshkimit vitin e kaluar shihet se totali i peshkut të kapur arriti mbi 19 mijë tonë. 47% e sasisë ose mbi 9 mijë tonë ishin nga rezervati.

Në 8 vitet e fundit, është rritur ndjeshëm prodhimi i peshkut në rezervate duke shkuar në mbi 9 mijë tonë më 2023-shin nga 3,2 mijë tonë në vitin 2016 ose 185% më shumë. Peshku i rezervateve zinte 15.5% të peshkut total të kapur më 2016-ën ndërsa vitin e kaluar, zuri 47.7% të totalit.

Kultivimi i peshkut në rezervate mori hov vitet e fundit, nxitur nga zhvillimet pozitive te shtyra nga kërkesa në tregun vendas e integrimi i fermave në zinxhirët e eksportit. Vitin e kaluar, prodhimi i peshkut në rezervate arriti në 9,141 tonë me rritje 14% në krahasim me vitin 2022. Fermat e mbarështimit të peshkut janë të përqendruara në zonën e Vlorës.

Në tregun e brendshëm ka hapësira të larta pasi konsumi për frymë, ende është i ulët teksa kërkesa po rritet me shpejtësi vitet e fundit si në Tiranë, ashtu dhe në qytetet bregdetare. Administratorët e fermave të peshkut pohojnë se numri i lartë i turistëve ka rritur kërkesën për peshk nga restorantet, por gjithashtu kërkesa nga jashtë vendit është shtuar.

Pajisja me certifikatat e cilësisë ka bërë që shumë ferma të eksportojnë në vendet e BE-së. Eksporti i peshkut ka një vlerë më të lartë se prodhimet e tjera nga Shqipëria, kryesisht bujqësia. Por, rritja e peshkut është një biznes delikat si për të gjitha bizneset që kultivojnë dhe rrisin gjallesa, ndaj kërkon njohuri specifike.

Zona bregdetare përgjatë gjithë territorit shqiptar ofron kushte të përshtatshme për vendosjen e peshkut dhe fermat e kulturës së molusqeve. Ka tetë laguna bregdetare prej rreth 10,000 ha e ku më të rëndësishmet janë: Velipoja me 200 ha, Patoku me 480 ha, Vaini, Karavasta 3800 ha, Narta 2800 ha dhe Butrinti 1600 ha. Gjithashtu, 103 liqene më të vegjël natyrorë janë potencial.

Sa i përket akuakulturës së peshkut detar, sistemi kryesor i prodhimit të tij bazohet në kulturën e kafazit lundrues detar. Shumica e rezervateve ndodhen në pjesën jugore të bregdetit shqiptar. Fushat kryesore ku zhvillohet ky aktivitet janë Vlora, Saranda dhe Himara, siç sqaron Ministria e Bujqësisë. Në qarkun e Vlorës janë 31 objekte akuakulturë të autorizuara./Monitor