Një gjykatë në kryeqytetin e Rumanisë vendosi më 18 korrik që t’ia vazhdojë arrestin shtëpiak për edhe 30 ditë influencuesit kontrovers Andrew Tate.
Tate akuzohet për përdhunim, trafikim me njerëz dhe për krijimin e një grupi kriminal me qëllim për t’i shfrytëzuar seksualisht gratë.
Vendimi i Gjykatës së Bukureshtit vjen një muaj pasi prokurorët ngritën aktakuzë edhe formalisht ndaj yllit 36-vjeçar të rrjeteve sociale, si dhe ndaj vëllait të tij dhe dy grave të tjera në rastin e njëjtë.
Të gjithë katër të pandehurit – të cilët u arrestuan në fund të muajit dhjetor në Bukuresht – do të mbahen në arrest shtëpiak edhe për 30 ditë të tjera.
Tate dhe të tjerët i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Në padinë e dorëzuar në gjykatën në Bukuresht, është thënë se katër të pandehurit kanë formuar një grup për krim të organizuar në 2021 për të kryer trafikim të qenieve njerëzore në Rumani, por edhe në shtetet tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Aty janë përmendur shtatë viktima që kanë thënë se janë rekrutuar nga vëllezërit Tate përmes premtimeve të rreme për dashuri dhe martesë.
Të pandehurit dyshohet se i kanë detyruar disa gra që të marrin pjesë në pornografi, dhe materialet më vonë janë publikuar në rrjetet sociale.