Aktualitet

Gjykata rrëzon ligjin për taksimin e profesioneve të lira: U cënua liria ekonomike!

Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e 38 deputetëve të opozitës dhe shoqatës së konstabilsitëve, audituesve dhe avokatëve për të shfuqizuar pjesërisht si jo në përputhje me Kushtetutën ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat.

Gjykata pas shqyrtimit të padive vendosi të pezullojë taksimin me 15-23% për rreth 29 mijë biznese që furnizojnë shërbime profesionale të konsideruar si profesionistë të lirë.

“Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore”, u shpreh Kryetarja Holta Zaçaj.

Shfuqizimi i nenit 69 pika dh fjalia e dytë dhe e tretë, u shfuqizua ku përcaktohej se norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit që furnizonin shërbime profesionale lista analitike e cila u përcaktua me VKM dhe përfshiu 29 mijë biznese dhe 269 profesione.

Sipas gjykatës kushtetuese ligji i miratuar nga qeveria cënon veprimtarinë e lirë ekonomike duke shkelur parimin e sigurisë juridike.

“Kjo do të thotë se një ligj, i cili kap në mënyrë të papërgatitur qytetarët dhe nuk i siguron kohë të mjaftueshme për tu përgatitur, cënon të drejtat dhe liritë e njeriut pasi i merr nga xhepi të ardhura që nuk ishin të planifikuara. Ligji i ri nuk i la kohë këtyre profesionistëve të përshtateshin me skemën e re tatimore”, vijoi më tej Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj, ndërsa e konsideroi jo në përputhje me Kushtetutën frymën e ligjit që i linte përgjegjësi qeverisë të nxirrte listën analitike të profesioneve që viheshin në taksim.

Edhe data e nxjerrjes së kësaj liste në 23 dhjetor ishte tepër e vonuar në kushtet kur ligji fillonte zbatimin në 1 janar, sipas Gjykatës Kushtetuese.

Nga krahu tjetër ky ligj sipas Gjykatës është dhe jopropocional dhe diskriminues, sepse nga gati 120 mijë bizneseve të vogla në Shqipëri vetëm 29 mijë prej tyre do t’i nënshtroheshin tatimit 15-23% duke filluar nga ky vit, ndërsa pjesa tjetër nga viti 2029.