Aktualitet

Gjykata nuk legjitimoi emigrantët në Gjadër, Salvini: Mobilizim kundër gjyqësorit të politizuar!

“Mobilizim kundër gjyqësorit të politizuar”. Kështu paralajmëroi zv.kryeministri italian, njëkohësisht ministër i Infrastrukturës dhe Transporteve, Matteo Salvini lidhur me vendimin e Seksionit të Emigracionit në Gjykatën e Romës që dje vendosi moslegjitimimin e ndalimit të emigrantëve brenda qendrës së Gjadrit.

Salvini zhvilloi një mbledhje urgjente të Këshillit Federal të Lega-s, siç u shpreh kundër “sulmit ndaj Italisë dhe italianëve të nisur nga një pjesë e gjyqësorit të politizuar”.

Referenca ka të bëjë me dispozitën për çështjen e Shqipërisë… dhe në ditët në vijim, Lega do të paraqesë mocione në bashkitë italiane për të përsëritur nevojën për të mbrojtur kufijtë. Kushdo që na pengon të mbrojmë kufijtë, e vë vendin në rrezik.

Salvini nuk është i vetmi që e mendon kështu.

Nuk mund të jetë drejtësia që përcakton një shtet pak a shumë të sigurt por është një vendim shumë i lartë politik. Do të marrim masa legjislative, deklaroi ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio. Nëse gjyqësori i tejkalon kompetencat e veta duke atribuar prerogativa që nuk mund t’i ketë, siç është përcaktimi i një shteti të sigurt, duhet që të ndërhyjë politika që shpreh vullnetin e popullit, theksoi Nordio.

Kryeministrja Meloni nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga marrëveshja e emigrantëve me Shqipërinë pavarësisht polemikave e refuzimit nga drejtësia. Një tjetër grup refugjatësh do të niset drejt Gjadrit brenda javës. Qeveria italiane e krahut të djathtë synon të vazhdojë të ndjekë planet për të shqyrtuar kërkesat për azil jashtë Bashkimit Europian.

Pas vendimit të djeshëm nga një gjykatë në Romë, 12 emigrantë, aplikimet e të cilëve duhej të vendoseshin në Shqipëri, sot u kthyen në Itali me një anije të Rojes Bregdetare Italiane që i mori nga Porti i Shëngjinit.  Qeveria do ta apelojë vendimin e të hënën e 21 tetorit pritet një mbledhje e posaçme kabineti për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar. Italia është shteti i parë në Bashkimin Europian me qendra për refugjatët jashtë bllokut.

16 emigrantë nga Egjipti e Bangladeshi që ditë më parë kishin zbarkuar në brigjet e vendit fqinj, më 16 tetor u sollën në Shqipëri për t’u mbajtur në kampin e Gjadrit për aq kohë sa do t’iu shqyrtoheshin kërkesat për azil. Katër prej tyre u rikthyen në Itali brenda pak orëve si të mitur e me probleme shëndeti. Me vendimin e djeshëm të gjykatës së Romës, të njëjtin fat patën edhe 12 të tjerët.