Një gjykatë në Rumani ka hedhur poshtë apelin e yllit të rrjeteve sociale Andrew Tate për t’u liruar nga paraburgimi.
Ish-fenomeni i arteve marciale dhe influencues online do të qëndrojë në qeli për shkak të vazhdimit të hetimeve për drejtimin e një rrjeti kriminal të organizuar.
Tate, 36 vjeç, i vëllai 34, si dhe dy gra rumune u arrestuan më 29 dhjetor nën dyshimin e trafikut të qenieve njerëzore, përdhunim dhe krijim të organizatës kriminale me qëllim shfrytëzimin e femrave.
Të dy të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kishin apeluar për zhbllokimin e pronave të tyre në Bukuresht dhe kundër zgjatjes së paraburgimit. Por gjykata rumune vendosi se të katër të ndaluarit duhet të qëndrojnë në burg për 30 ditë.
“Jam shumë i zhgënjyer. Kjo masë më duket shumë e tepruar”, deklaroi avokati i dy vëllezërve pas dhënies së vendimit, që u njoftua disa orë pasi Andrew dhe Tristan Tate kishin lënë gjykatën, pas një seance që kishte zgjatur 6 orë.
Të paktën 15 makina luksoze dhe mbi 10 prona, përfshirë apartamente dhe sipërfaqe tokësore u sekuestruan në Rumani në kuadër të operacionit policor.
Agjencia Kundër Krimit të Organizuar në kryeqytetin rumun i akuzon dy vëllezërit britanikë se i rekrutonin viktimat duke i joshur dhe duke u premtuar marrëdhënie romantike, me qëllim trafikimin.