Aktualitet Politikë

Gjykata i dha vulën Berishës, momenti i festës së deputetëve të Rithemelimit (FOTO)

Deputetët e opozitës kanë “shpërthyer” në festë pasi Gjykata e Apelit i ka dhënë vulën dhe logon e PD-së liderit demokrat, Sali Berisha.

Në foto shihet momenti teksa ata dalin nga dyert e Apelit pas dhënies së vendimit nga trupa e gjykuese, e cila i dha fund zvarritjes nëpër gjykata të çështjes së vulës së Partisë Demokratike.

Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët ishin të pranishëm në seancë, shihet të buzëqeshur dhe me dy gishtat lart, teksa gëzojnë për vendimin e togave të zeza.

Prej dy vite e gjysmë vijoi beteja për vulën e Partisë Demokratike mes demokratëve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës me shpresën për një vendim final që do të zgjidhë njëherë e mirë fatin ligjor të partisë më të madhe opozitare.

Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale.

Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.