Aktualitet

Mbërrijnë në SPAK 20 fashikujt e dosjes së “21 Janarit”/Detajet!

Prokuroria e Tiranës sot kaloi në SPAK 20 fashikuj të dosjes së “21 Janarit”. Kjo pasi Gjykata e Lartë caktoi si kompetente Prokurorinë e Posaçme. Në to përmendet moszbardhja e vrasjeve të protestuesve Aleks Nika e Hekuran Deda dhe e gjashtë plagosjeve. Në fashikuj mungon përgjigjja e ekspertëve italianë për predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës pasi ende nuk e kanë përcjellë përmes letërporosisë.

Nuk ka asnjë të pandehur për dy vrasjet e pazbardhura dhe për 6 të plagosurit. SPAK u urdhërua nga Gjykata e Lartë të tërheqë aktet pasi familja e Aleks Nikës kallëzoi ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Basha dhe ish-komandantin e Gardës, Prendi.

Procedimi penal është regjistruar më 15 korrik 2024 për të tre veprat penale që dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë e jo vrasje nga pakujdesia, siç i cilësoi Prokuroria e Tiranës. SPAK-u i akuzon për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, po e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë. Nuk ka një emër se kush e vrau Aleks Nikën e kjo për shkak se predha që iu hoq nga trupi në Turqi ishte e dëmtuar, e paekspertueshme duke mos përcaktuar se nga cila armë zjarri u qëllua.

Prej më shumë se një dekade, familja Nika vijon të kërkojë drejtësi për vrasjen e tij e tashmë i takon SPAK-ut detyra që të zbardhë të vërtetën lidhur me atë se çfarë ka ndodhur e rolin e luajtur nga kupola më e lartë shtetërore.

Në një tjetër zhvillim. Sa i përket dosjes së Sterilizimit, seanca u shty për më 12 shtator. Shkak u bë mungesa e një avokati. Për herë të parë në sallë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i arrestuar për hetimet që po kryhen për SASPAC, tha se aktet e sjella në gjykim përmbajnë të pavërteta. Beqaj kërkoi të bënte deklaratë për aktet procedurale që lidhen me hetimin tjetër, por gjykata e ndërpreu pasi mungonte përfaqësuesi i njërit prej të pandehurve. Hera e katërt që shtyhet seanca paraprake për çështjen “Sterizilimi”.