Ish kryeministri Sali Berisha humb një tjetër betejë me gjyqësorin. Gjykata e Lartë vendosi sot të mos pranojë rekursin e Berishës kundër vendimit të Apelit të GJKKO-së që nuk e lejonte të shkonte në Kuvend.
“Mospranimin e rekursit te paraqitur nga Sali Berisha, kundër vendimit me nr. 57(87-2024-84), datë 25.03.2024, te Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Prej 30 dhjetorit 2023 ish kryeministri vijon të jetë nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ pasi është në hetim për ‘korrupsion pasiv’ lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave. Ndërkohë më 19 janar 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rrëzoi kërkesën e Sali Berishës për t’u paraqitur në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Edhe pse vendimi u ankimua ai u la në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Ndërkohë ish kryeministri vijon të sfidojë drejtësinë, duke thyer vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila me caktimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ nuk i lejohet të pranojë në banesë persona të tjerë që nuk janë familjarë. Këtë herë vendimin e shkeli duke futur në shtëpi aktorin Çun Lajçi i cili i recitoi poshtë ballkonit ku mblidhen një grup i vogël militantësh
Nuk është hera e parë që Berisha thyen vendimin e GJKKO-së. Kujtojmë se Berisha e shkeli vendimin duke pritur ish-eurodeputetin gjerman të CDU-së, Elmar Brok dhe priti një grup gazetarësh italianë në banesën e tij.
Vetë Berisha nuk e ka postuar takimin në facebook, por është publikuar në faqen e facebook të aktorit shoqëruar dhe me një mesazh të Lajçit i cili është solidarizuar me Berishën
Takimi është mbajtur mbrëmjen e 21 majit, që përkon me ditën kur GJKKO mori vendim për të mos i revokuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpi’, duke i rrëzuar kështu për të disatën herë kërkesën e Sali Berishës dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
“Sali Berisha, përkundër urdhërave, e hapi derën e thirri; – s’mund ta lë rugovasin me shallin qefin, n’rrugë! Dua ta marrë ngryk e t’pi kafe të oxhaku se m’vret zakoni i maleve!
Po! U futa n’konakun e tij e n’zemrën qindvjetshe! Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë, i thash kur ika! …Tani që pengun e hoqa nga zemra, sikur u shlirova! Tiranë, 21 maj 2024 shkruan Cun Lajçi.
SPAK dorëzoi në seancën e 21 majit si provë materialet e marra nga Top Channel për takimet e Berishës me gazetarin e Rait dhe ish-eurodeputetit gjerman i CDU-së, Elmar Brok duke nënvizuar Berisha vijon të mos respektojë vendimi i masës së sigurimit. Pikërisht këto prova e bindën gjyqtaren Irena Gjoka të refuzonte kërkesën e avokatëve mbrojtës.
Sipas Kodit të Procedurës Penale ‘Arresti shtëpiak’ ka të njëjtat kushte dhe rregulla si të paraburgimit, pra ‘arrestit me burg’. S’mund të marrë pjesë në aktivitete jashtë shtëpisë dhe nuk i lejohet të komunikojë apo takojë me asnjë përveç rrethit të ngushtë familjar që jetojnë në të njëjtën banesë me të.