Aktualitet

Gjykata e Lartë konfirmon “Arrest shtëpie” për Jamarbër Malltezin!

Gjykata e Lartë nuk ka ndryshuar masën e sigurisë në ngarkim të Jamarbër Malltezit, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për procedurat e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Fillimisht, kjo masë sigurie u vendos më 21 nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Ndërkaq, një ditë më parë, Gjykata e Lartë dha vendim edhe për Berishën po në lidhje me dosjen “Partizani”, për të cilën ai është person nën hetim për korrupsion pasiv. Gjykata e Lartë i rrëzoi kërkesën për të marrë leje për të shkuar në Kuvendin e Shqipërisë, që të mund të ushtrojë funksionin e deputetit.

Berisha kishte dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkonte shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në vendimin e kësaj gjykate thuhej:

Gjykata vendosi sot (23 maj 2024) mospranimin e rekursit të paraqitur nga Sali Berisha, kundër vendimit me nr. 57(87-2024-84), datë 25.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjatë kohës që mbante funksionin e kryeministrit, dyshohet se Berisha favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, gjatë procedurave të privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, ku Malltezi ishte një prej trashëgimtarëve.