Në Amerikë, Gjykata e Lartë vendosi të lejojë aksesin e grave te një ilaç aborti të paktën deri nesër, ndërsa anëtarët e saj po shqyrtojnë nëse kufizimet për ilaçin mifepristone do të hyjnë në fuqi. Gjyqtari Samuel Alito lëshoi një udhëzim të shkurtër përmes së cilit i jepte gjykatës më shumë kohë dhe linte të kuptohej se pritet të veprojë deri nesër në mbrëmje. Gjykatësi Alito, nuk dha shpjegim për shtyrjen.
Gjykata e Lartë po shqyrton nëse gratë do të përballen me kufizime në marrjen e një ilaçi të përdorur gjerërisht për të kryer abort në Shtetet e Bashkuara, teksa vazhdon një proces gjyqësor për këtë çështje. Javën e ardhshme, anëtarët e gjykatës pritet të lëshojnë një urdhër për një çështje të ngritur nga Teksasi, ku kundërshtarët e abortit po kërkojnë të heqin miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave, FDA për ilaçin, mifepristone.
Për herë të parë, ilaçi mori miratimin e FDA-së në vitin 2000 dhe kushtet për përdorimin janë lehtësuar vitet e fundit, duke përfshirë dërgimin e tij me postë në shtetet që lejojnë aksesin.
Administrata Biden dhe prodhuesi i ilaçit, Danco Laboratories me qendër në Nju Jork, duan që gjykata më e lartë e vendit të refuzojë kufizimet në përdorimin e mifepristonit, të vendosura nga gjykatat më të ulëta. Të paktën për sa kohë që çështja ligjore shqyrtohet në gjykata. Ata thonë se gratë që duan ilaçin dhe kompanitë që e shpërndajnë do të përballen me kaos nëse kufizimet hyjnë në fuqi. Në varësi të asaj që vendosin anëtarët e gjykatës, kjo mund të përfshijë kërkesën për gratë që të marrin një dozë më të lartë të ilaçit nga sa FDA-ja thotë se nevojitet.
Aleanca Mbrojtja e Lirisë që përfaqëson mjekët kundër abortit dhe grupet mjekësore në një sfidë ndaj ilaçit, po mbron vendimet duke i bërë thirrje Gjykatës së Lartë të lejojë që kufizimet të hyjnë në fuqi tani.
Lufta ligjore mbi abortin vjen më pak se një vit pasi anëtarët konservatorë që përbëjnë shumicën në Gjykatën e Lartë përmbysën ligjin e abortit dhe lejuan më shumë se 12 shtete të ndalojnë në mënyrë efektive abortin. Megjithë ndryshimet dramatike në disa shtete, kundërshtarët u përqëndruan te abortet përmes ilaçeve, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve në Shtetet e Bashkuara.
Nëse anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk janë të prirur të bllokojnë hyrjen në fuqi të vendimit për momentin, administrata Biden dhe Danco kanë një argument tjetër, duke i kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim sfidën për mifepriston, të dëgjojë argumentet dhe të vendosë çështjen deri në fillim të verës.