Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor për të shqyrtuar kërkesën e demokratit Ervin Salianji për pezullimin e vendimit të Apelit, që e dënoi me 1 vit burg.
Çështja do të shqyrtohet në orën 13:00 dhe relator është caktuar Sokol Binaj, sipas shortit të hedhur.
Kërkesa e Ervin Salianjit do të shqyrtohet në dhomë këshillimi. Kujtojmë që demokrati u dënua nga Gjykata e Apelit më 26 Shtator me 1 vit heqje lirie. Salianji u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas dhënies së vendimit nga togat e zeza dhe u dërgua në burgun e Fierit ku do të vuajë dënimin.
Katër ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, thuhet në shkresën drejtuar Gjykatës së Lartë.