Aktualitet

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për Alda Klosin, sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj!

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për Alda Klosin.

Ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave së bashku me sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi u shpallën fajtorë ‘vjedhje me pasoja të rënda” në bashkëpunim.

“Më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion”, është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A. K. Për kryerjen e kësaj vepre panale, është akuzuar pastruesja e saj me iniciale R. D si dhe djali i kësaj të fundit me iniciale H. D”, thuhet në vendim.

Alda Klosi është dënuar me 1.8 vite burg, Rozeta Dobi me 4.8 vite burg dhe djali i saj Havier Dobi me 3.8 vite burg, me gjykim të shkurtuar.

Në dhjetor 2022 ish-zyrtarja e lartë, Alda Klosi kallëzoi në polici vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Në janar 2023 policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat i ishin fshehur në tubin e aspirimit të banesës së tyre.

Ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina. Vetë Alda Klosi kishte bërë denoncimin për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarë dhe bizhuterive. Pas arrestimit pastruesja ‘e penduar’ e drejtësisë tha se 400 mijë eurot i mori në shtëpinë e Alda Klosit Një muaj më pas, në shkurt 2023 u krye arrestimi i ish zyrtares.