Rajoni

Gjuriç: Dialogu Kosovë-Serbi, në komë!

Në Serbi, ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë “në koma”. Sipas tij, kjo gjendje nuk ka aspak të bëjë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak, por me faktin se “shtetet që kanë ndikim, nuk e përdorin”.

Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, Gjuriç njoftoi për aktivitet intensiv diplomatik, duke theksuar se Parlamenti i ri Europian është konstituuar dhe disa gjëra po ndryshojnë në Europë. Sipas tij, viti i ardhshëm “mund të jetë viti ku situata do të jetë më e favorshme”.

Kujtojmë se një ditë më parë, Mirollav Lajçak, qëndroi në Serbi e takoi presidentin Aleksander Vuçiç, si dhe shefin e diplomacisë, Marko Gjuriç.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç raportoi se me Lajçakun kanë biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, zbatimi i këtyre dy marrëveshjeve do të mundësonte kthimin në dialog konstruktiv mes dy shteteve.

Para Beogradit, më 18 qershor, Lajçak u ndal edhe në Prishtinë ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Zyrtari i lartë europian deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, duke përkujtuar se nga kjo varet edhe aksesi në fondet e Bashkimit Europian.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia ranë dakord lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe mbi Aneksin në lidhje me zbatimin e këtij akordi.

Marrëveshja me 11 nenesh, ndër të tjera përfshin edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë e njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët gjatë dialogut.

Megjithatë, Bashkimi Europian, i cili që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka kritikuar palët në lidhje me moszbatimin e marrëveshjes.